Vendosni fjalën kyçe....

Finalizohet “Operacionalja 76”, arrestohet në Tiranë një person i kërkuar nga autoritetet spanjolle



Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Operacionalja 76”, në kuadër të përpjekjeve për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.

Si rezultat i operacionit, u kap në Tiranë dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Spanjës shtetasi Gjergji Ceka, alias Gjergji Kola, 37 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Malagës, Spanjë, me vendimin e datës 14.11.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madrid, do të kryejë procedurat e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt autoriteteve spanjolle.