
Dy persona janë kapur nga policia në Kukës pasi akuzohen se po transportonin 12 emigrantë të paligjshëm në këmbim të parave.
56-vjeçari B.M dhe 24-vjeçari M.M. u ndaluan teksa udhëtonin me dy makina të ndryshme ku u gjetën emigrantët e paligjshëm.
Njoftimi
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore ndjekur me metoda proaktive, organizuan dhe finalizuan operacionin “Relay”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. M., 56 vjeç dhe M. M., 24 vjeç. Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Kukës, duke transportuar me 2 automjete, 12 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishin premtuar transportimin nga kufiri grek, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.
Në vijim të veprimeve hetimore, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit Sh. K., 40 vjeç, dhe E. S., 22 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të rastit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”