Vendosni fjalën kyçe....

Rrëzohet aeroplani në Meksikë, 10 viktima (Video)


Një aeroplan është rrëzuar në Meksikë duke shkaktuar vdekjen e të paktën 10 personave, përfshirë tre fëmijë të gjithë nën moshën 10 vjeç.

Fëmijët, që besohet se ishin anëtarë të së njëjtës familje, ishin një djalë katër vjeç dhe dy vajza të moshës nëntë dhe dy vjeç. Pesë pasagjerë të rritur vdiqën gjithashtu bashkë me dy pilotë, kur aeroplani privat u përplas mbi një magazinë në një zonë industriale pranë Aeroportit Toluca të Meksikës, rreth orës 12:30 (sipas kohës lokale) të ditës së djeshme. Besohet se piloti po përpiqej të ulej në një fushë futbolli.

Qindra njerëz u desh të evakuoheshin nga zona përreth pas rrëzimit, pasi një zjarr shpërtheu aty pranë. Aksidenti ndodhi në San Mateo Atenco, një zonë industriale tre milje (5 kilometra) larg aeroportit të Toluca-s, rreth 31 milje (50 kilometra) në perëndim të Mexico City-t. Aeroplani ishte nisur nga Acapulco, përgjatë bregdetit të Paqësorit të Meksikës, shkruan Mirror.

Raportimet e para lokale thanë se gjashtë trupa ishin gjetur brenda rrënojave të aeroplanit përpara se numri i konfirmuar i viktimave të rritej në 10. Një hetim mbi aksidentin po vazhdon, ku thuhet se hetuesit janë përqendruar në teorinë se shkak ka qenë një problem në motor, pasi doli në dritë biseda e fundit mes pilotit dhe kontrollorëve të trafikut ajror, në të cilën ai dëgjohej duke thënë: “Po rrëzohemi”.