
Kreu i PD-së Berisha, tha gjatë mocionit me debat për zgjedhjet e 11 majit, se procesi zgjedhor ishte farsë e plotë.
Ai deklaroi se PS-ja përdori çdo mjet e instrument të shtetit për të ndikuar rezultatin, që nga burimet financiare dhe njerëzore deri te veprimet e strukturave shtetërore dhe kriminale.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama si “pasardhës i xhelatit të diktaturës”, duke e fajësuar se në një vit elektoral arrestoi drejtues të partive opozitare. Ai tha se bandat e rretheve sollën në Kuvend 28 deputetë dhe se zyrtarë të lartë të qeverisë tentuan të ndryshonin raportet zyrtare lidhur me zgjedhjet.
“Partia në pushtet, e kapur nga interesa kriminale, i rezervoi procesin më themelor votës së shqiptarëve. Ishin zgjedhje fund e krye farsë, tipike të narkodiktaturave. Ishte një proces ku, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, regjimi organizoi 4,553 aktivitete, përfshirë ditën e zgjedhjeve ndalimin e Giro d’Italia. Ishte një proces në të cilin pasardhësi i xhelatit të diktaturës, Edi Rama, arrestoi në vit elektoral liderët e partive kryesore opozitare.” – tha Berisha.
Ai shtoi se shteti elektoral përdori “të gjitha burimet e tij njerëzore dhe financiare për të blerë votën e shqiptarëve”. Sipas tij, dy ditë para zgjedhjeve u falën 2 miliardë euro gjoba dhe kamata, dhe u shpërndanë para për 7,600 pensionistë për të siguruar vota.
“Aty ku ka parti-shtet, nuk ka zgjedhje, ka farsë,” tha ai, duke shprehur mirënjohje për rreth 300 vëzhgues ndërkombëtarë nga OSBE/ODHIR, Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian.
Në përfundim, Berisha deklaroi:
“Fitorja do të ishte e PD-së. Ne do t’ju nxjerrim nga pushteti dhe do të rikthejmë votën e lirë.”