Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Po bëhet betejë për të mbyllur dosjen e Ramës, por kjo nuk mund të ndodhë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot në Kuvend kryeministrin Edi Rama se po shmang interpelancat dhe përballjen me deputetët për shkak të frikës lidhur me skandalet e fundit në qeveri.

Sipas tij, Rama ia ka deleguar ministres Albana Koçiu interpelancën e kërkuar nga Agron Shehaj, vetëm sepse “ka turp të dalë para shqiptarëve”.

Berisha theksoi se që nga shpërthimi i skandalit “Balluku”, kryeministri dhe zëvendësministrja e pezulluar pas akuzave për tunelin e Llogarasë dhe projektet e Unazës së Madhe, “nuk guxojnë të shfaqen në Parlament”.

Në fjalën e tij në Kuvend, ish-kryeministri deklaroi se po zhvillohet një betejë intensive për të mbyllur dosjen që, sipas tij, përfshin Ramën, por se kjo nuk mund të realizohet më.

Në përgjigje të trillimit që bëri parafolësi që nuk jam paraqitur në seanca, kam pasur një pasion të veçantë për t’iu përgjigjur çdo interpelance. Dhe ky pasion nuk ndikohet as nga personi, as nga tematika. Por ju nuk keni faj. Ku e keni Ramën? Ku e keni? Pas Lubisë, ku e keni? A e kuptoni që është bërë gaz? Nuk guxon me ardhë në parlament. Ai dhe Lubia nuk guxojnë të dalin para shqiptarëve nga ky parlament.”- u shpreh Berisha.

Berisha akuzoi mazhorancën se ka humbur legjitimitetin politik.

Ju kot votoni, kot sillni ligje e buxhete. Ju keni marrë fund. Frika e tij ka kufi vetëm qiellin.

Ai shtoi se shpejt do të zbardhë detaje të asaj që e quajti “beteja për dosjen e Ramës”.

Po zhvillohet një betejë… Po gjë në botë që të mbyllë dosjen e tij nuk ka. Prandaj nuk guxon të vijë t’u përgjigjet interpelancave.”- tha ai.