Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku në Ditën e Rinisë: Sistemi i padrejtë po i largon të rinjtë; nevojë urgjente për meritokraci



Në Ditën Kombëtare të Rinisë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka zgjedhur të dërgojë një mesazh që prek një nga krizat më të mëdha që po përjeton Shqipëria sot: largimin masiv të të rinjve dhe rënien dramatike demografike.

Tabaku theksoi se rinia ka qenë për dekada burimi i shpresës dhe mundësia më e madhe konkurruese e vendit, por sot ajo po përballet me një realitet shumë më të ashpër.
Sipas të dhënave, në vetëm 13 vite numri i të rinjve është tkurrur me 45%, ndërsa 1 në 2 të rinj është larguar nga Shqipëria në kërkim të një jete më të ndershme dhe më meritokratike.

“Ëndrrat e një brezi që kërkoi ndryshimin dhe e arriti atë gati tre dekada e gjysmë më parë po shuhen dita-ditës,” u shpreh Tabaku, duke theksuar se një sistem i padrejtë dhe i kapur nga interesat e pakicës po e plak kombin me shpejtësi të frikshme.

Ajo solli edhe përvojën e saj personale si pedagoge, duke treguar se shumë nga studentët e saj, vajza e djem të aftë, me ambicie e talent, nuk kanë gjetur hapësirë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.
“Ky sistem nuk punon për ta. Punon për t’i zëvendësuar me të pazotët, me klientët e pushtetit,” deklaroi Tabaku.

Në këtë Ditë të Rinisë, mesazhi i saj është i qartë: Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të thellë, për një ekonomi të hapur, një arsim me standarde të larta dhe një treg pune që vlerëson aftësinë, jo lidhjet politike.

“Koha ka ardhur të ndërtojmë një Shqipëri të ndershme dhe të drejtë, që i jep mundësi të rinjve dhe nuk i detyron të largohen. Një Shqipëri ku secili mund të shkelqejë me aftësitë e veta.”