Vendosni fjalën kyçe....

BE forcon politikat për blerjen dhe sigurinë e lëndëve të para strategjike



Komisioni Europian njoftoi të mërkurën një paketë të re masash për koordinimin e blerjes dhe krijimin e rezervave strategjike të lëndëve të para, përfshirë mineralet e rralla që janë thelbësore për industrinë automobilistike, elektronike dhe të mbrojtjes, përcjell DW.

Komisioni paralajmëroi se do të përdorë mjete më të forta ekonomike ndaj partnerëve tregtarë për të garantuar furnizimin me mineralet e rralla. “BE-ja do të jetë më strategjike në shfrytëzimin e peshës së saj ekonomike dhe qasjes në Tregun e Përbashkët,” tha Komisioni.

Masat që mund të aktivizohen për sigurinë ekonomike përfshijnë tarifat antidumping, kufizimet ndaj blerjeve të kompanive europiane nga aktorë të huaj si dhe përjashtimin e kompanive të vendeve të treta nga tenderët publikë.

Kina, që siguron mbi dy të tretat e prodhimit botëror të metaleve të rralla, njoftoi kufizime të reja eksporti në tetor, duke krijuar tronditje në tregje dhe ndërprerje të zinxhirit të furnizimit. Masat u pezulluan më vonë për një vit, por tensionet mbetën të larta.

Kriza u përkeqësua edhe nga mosmarrëveshjet lidhur me prodhuesin e çipave Nexperia, që ngritën shqetësime në industrinë gjermane, veçanërisht tek sektori automobilistik.

“Evropa po i përgjigjet realitetit të ri gjeopolitik,” tha komisioneri i industrisë, Stephane Séjourné, duke akuzuar Pekinin se po ushtron presion të papranueshëm mbi tregun e lëndëve të rralla.

Presioni është rritur edhe nga administrata Trump në SHBA, e cila ka siguruar furnizime përmes marrëveshjeve bilaterale, duke e bërë edhe më të vështirë qasjen europiane në këto materiale strategjike.

Ndërsa opsionet e tjera – si Mianmari, Australia, India, Rusia, Brazili dhe Vietnami – mbeten larg në distancë dhe shpesh problematike në raportet politike me BE-në.

“Siguria ekonomike është thelbësore për sigurinë e Evropës,” tha komisionerja për politikën e jashtme, Kaja Kallas. “Sot miratojmë një strategji të re që synon uljen e varësive duke diversifikuar zinxhirët e furnizimit, ndërsa mbetemi të hapur për tregti me partnerë të besueshëm.”

Komisioni njoftoi se fondi strategjik prej gati 3 miliardë eurosh do të financojë projekte për kërkimin, nxjerrjen, rafinimin dhe riciklimin e mineraleve kritike brenda Evropës dhe në vendet partnere. Kjo shumë është e pavarur nga investimet e shteteve anëtare, ndërsa Gjermania ka planifikuar 1 miliard euro për projektet e saj deri në vitin 2028.

Vendet nordike, veçanërisht Suedia, shfaqin potencial të madh për zbulimin e rezervave të reja, përfshirë zonën rreth minierës gjigante të hekurit në Kiruna, përtej Rrethit Arktik.