
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Ndërmollasi”, duke zbuluar një ambient të përshtatur si laborator për përpunimin e kanabisit.
Si rezultat, u arrestuan në flagrancë 7 persona, përfshirë organizatorin dhe 6 gra të punësuara për përgatitjen e lëndës narkotike.
Në banesën e shtetasit R. M., 35 vjeç, dhe në ambientet përreth, u sekuestruan:
12.671 kg lëndë e dyshuar kanabis në fazë përpunimi
4.5 kg material i dyshuar si lëndë shpërthyese artizanale
Municion luftarak
1 automjet dhe 4 motomjete të trafikuara e modifikuara
7 celularë dhe 700 euro
Të arrestuarit janë: R. M. (organizatori), L. M. (51), A. Z. (22), L. K. (46), P. K. (43), Z. K. (18) dhe një vajzë 16-vjeçare, të gjithë banues në Shkodër.
Operacioni u zhvillua nga strukturat e Hetimit të Narkotikëve dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Komisariatin e Shkodrës.
Policia njofton se vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.