
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka miratuar shitjen e pushkëve snajper një njësie policore në Rio de Zhaneiro, e njohur për operacione vdekjeprurëse, duke anashkaluar shqetësimet e ambasadores amerikane dhe diplomatëve të tjerë për përdorimin e mundshëm të armëve në vrasje jashtëgjyqësore, sipas dokumenteve të brendshme të siguruara nga Reuters.
Njësia e policisë, e quajtur BOPE (Batalioni i Operacioneve Policore Speciale), ishte në qendër të operacionit të javës së kaluar në lagjen e varfër Penha të Rios, që la 121 të vdekur, mes tyre katër policë.
Ngjarja ka shkaktuar dënim nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe ekspertë të OKB-së, të cilët dyshojnë për vrasje të paligjshme.
Sipas dokumenteve të policisë së Rios, BOPE bleu 20 pushkë snajper të prodhuara nga kompania amerikane Daniel Defense LLC në maj 2023, gjatë administratës së Joe Biden, ndërsa pajisjet mbërritën në Brazil në vitin 2024, pasi në Departamentin e Shtetit ishte zhvilluar debat për përshtatshmërinë e shitjes.
Ambasadorja amerikane kishte kundërshtuar marrëveshjen
Në një memo të janarit 2024, ambasadorja e atëhershme amerikane në Brazil, Elizabeth Bagley, dhe disa diplomatë të tjerë kishin paralajmëruar kundër marrëveshjes, duke e përshkruar BOPE-n si “njësinë më famëkeqe në Brazil për vrasjet e civilëve”.
Vetëm në vitin 2024, policia e Rios – ku BOPE është njësi elitare – ka qenë përgjegjëse për 703 vrasje, sipas të dhënave zyrtare të Forumit Brazilian për Sigurinë Publike.
Edhe pse nuk ka konfirmim nëse armët amerikane u përdorën në operacionin e fundit, diplomatët kishin ngritur shqetësime se pajisjet e eksportuara nga SHBA mund të përdoreshin për abuzime me të drejtat e njeriut.
Në dokumente thuhet gjithashtu se BOPE kishte blerë shtypës zhurme (silencers) të prodhuar nga kompania Griffin Armament në Wisconsin, por dërgimi i tyre ishte bllokuar fillimisht nga qeveria amerikane. Nuk dihet nëse më pas u lejuan.
Ndryshimi i politikës nën administratën Trump
Departamenti i Shtetit deklaroi për Reuters se, nën administratën aktuale të Donald Trump, asnjë nga këto pajisje “nuk do të ishte vonuar apo refuzuar”.
Në prill 2025, Trump shfuqizoi udhëzimet e Biden-it që vendosnin kufizime më të rrepta mbi eksportet e armëve në bazë të historikut të të drejtave të njeriut.
“Politikat e dështuar të administratës së mëparshme ndihmuan dhe inkurajuan bandat më të dhunshme të hemisferës sonë,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. “Administrata Biden refuzoi pajisje mbrojtëse për partnerët tanë të besuar në Brazil, ndërkohë që u kërkonte atyre të mbronin presidentin Biden gjatë vizitës së tij në Rio.”
Një këshilltar i afërt me Trump mbështeti shitjen
Sipas zyrtarëve amerikanë, një nga përkrahësit më të fortë të marrëveshjes ishte Ricardo Pita, ish-anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, tani këshilltar i lartë për Çështjet e Hemisferës Perëndimore në Departamentin e Shtetit.
Pita, me origjinë venezueliane, kishte takuar në maj ish-presidentin brazilian Jair Bolsonaro, aleat të afërt të Trumpit dhe mbrojtës të zellshëm të BOPE-s.
Në 2024, Pita kishte vizituar personalisht bazën e BOPE-s në Rio, gjë që kishte shqetësuar diplomatët amerikanë, duke qenë se kjo njësi ishte cituar shpesh në raportet e Departamentit të Shtetit për shkelje të të drejtave të njeriut.
Njësia BOPE, e dashur për qytetarët, e kritikuar nga organizatat ndërkombëtare
Sipas sondazhit të fundit të AtlasIntel, 55% e brazilianëve e kanë mbështetur operacionin e përgjakshëm në Penha, ndërsa në shtetin e Rios mbështetja arrin 62%.
Shumë banorë e shohin BOPE-n si forcën e vetme që përballet me bandat e armatosura, ndonëse grupet e të drejtave të njeriut e akuzojnë për ekzekutime, përdorim të tepruar të forcës dhe mungesë të ndëshkimit.
Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për vitin 2023 theksonte një “model të vazhdueshëm të pandëshkueshmërisë për operacionet policore në Rio që shpesh rezultojnë në viktima të shumta dhe shkelje të rënda të të drejtave njerëzore.”
Një memo e janarit 2024 përmendte gjithashtu masakrën e vitit 2022 në lagjen Vila Cruzeiro, ku u vranë 23 persona, si arsye kryesore pse disa diplomatë refuzuan të miratonin shitjen e armëve.
Përveç shqetësimeve për abuzim, disa zyrtarë kishin paralajmëruar se armët mund të përfundonin në duart e grupeve kriminale, pasi disa oficerë të BOPE-s ishin hetuar për lidhje me milicitë lokale që kontrollojnë zona të tëra të qytetit përmes zhvatjeve dhe trafikimit.
Raportim nga Gram Slattery në Uashington dhe Fabio Teixeira në Rio de Zhaneiro — Redaktim nga Brad Haynes dhe Michael Learmonth.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters