Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kundër “Paketës së Maleve”: Mos prekni tokën e tjetrit, është e pamoralshme


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj “Paketës së Maleve” të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar si një formë plaçkitjeje dhe paralajmëruar investitorët që të mos prekin tokën e komuniteteve malore pa marrëveshje me pronarët.

“Tani, për sa i përket paketës së maleve, ajo është një plaçkitje e madhe që po bëhet. Edi Rama me asgjë nuk mund të mbulojë armiqësinë e tij të egër ndaj veriut të Shqipërisë dhe zonave malore”, tha Berisha në një konferencë për mediat nga selia blu.

Ai kujtoi se në vitin 2012, qeveria e tij kishte miratuar një ligj që përjashtonte investimet në zonat malore nga taksat për 8 vite, por pa cënuar pronësinë e tokës.

“Pra, ai që do bënte investimin, problemin do e zgjidhte me pronarët. Kështu që me këtë që po bën, vetëm po mbjell farën e armiqësive dhe vëllavrasjes. Dhe unë ftoj investitorët, mos të prekin tokën e tjetrit. Nuk ka moral kurrë t’i rrëmbesh tokën tjetrin”, u shpreh ai.

Berisha theksoi se pronat në bjeshkë kanë origjinë të dyfishtë: një pjesë janë private, por shumica janë komunale dhe i përkasin komunitetit.

“Dhe ti pa ujdinë e atij komuniteti, pse je shtet, nuk mund të prekësh asnjë centimetër. Është tokë e atij komunitet”, tha Berisha, duke akuzuar qeverinë se po përdor baronët e drogës për të uzurpuar tokat e qytetarëve.

Ai solli si shembull rastin e Thethit, ku sipas tij janë shkatërruar 100 objekte pa planifikim, si dhe ndërhyrjet në Sylbicë, ku “spiunojnë patronazhistët dhe i prishin tjetrit objektin, pa pasur asnjë plan absolutisht”.

Berisha pranoi se duhet të ketë planifikim urban dhe nuk mund të ndërtohet kudo, por shteti duhet të investojë për të përcaktuar zonat e zhvillimit.

“Është fat i madh që po ndërtojnë shtëpi. Ky çon fadromat se spiunojnë patronazhistët dhe i prishin punë dhe ua shkatërron për qëllime politike banesat në bjeshkë”, përfundoi ai.