Vendosni fjalën kyçe....

OJQ-të e lidhura me Fondacionet Soros i druhen hetimeve të administratës Trump ndaj miliarderit


Donald Trump nuk e ka fshehur planin e tij për të shënjestruar George Soros.

Muajin e kaluar ai përshkallëzoi retorikën kundër miliarderit filantrop, duke nënshkruar një memorandum që inkurajonte Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, Thesarin dhe Shërbimin e Të Ardhurave të Brendshme (IRS) të hetonin financuesit e “terrorizmit të brendshëm”, duke e emëruar Soros-in si një shënjestër të mundshme.

Administrata e tij ka sugjeruar gjithashtu se mund të anulojë përjashtimin nga taksat që gëzojnë OJQ-të që ofrojnë ndihmë për ndryshimin e gjinise për fëmijët ose ndihmojnë “emigracionin e paligjshëm”.

Open Society Foundations (OSF) e Sorosit, e drejtuar tani nga djali i tij Alex, ka 25 miliardë dollarë në asete dhe financon qindra organizata jo-qeveritare në SHBA dhe në mbarë botën. Ajo ka hedhur poshtë me forcë të gjitha pretendimet për mbështetjen e dhunës ose paligjshmërisë dhe është zotuar të luftojë “sulmet e motivuara politikisht ndaj shoqërisë civile”.

Por paralajmërimet e Shtëpisë së Bardhë po shkaktojnë një efekt frikësues tek qindra mijëra organizata dhe bamirësi më të vogla që marrin fonde nga OSF, por u mungojnë burimet për t’u përballur me administratën Trump vetë, thanë disa grupe për Financial Times.

“Të gjithë ne duhet të shqetësohemi që dega ekzekutive po përdor fuqinë e saj kundër sektorit bamirës jofitimprurës,” tha Akilah Watkins, presidente e Sektorit të Pavarur, i cili përfaqëson një sërë jofitimprurësesh.

“Ka një efekt zinxhir. Nëse jeni një organizatë e vogël komunitare që nuk përputheni me prioritetet e kësaj administrate, nuk i keni financat për të pajtuar avokatët më të mirë për të mbrojtur veten.”

Grupet e kërcënuara përfshijnë një gamë të gjerë, nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe pro-demokracisë, avokatët e reformës së drejtësisë penale, mediat dhe ofruesit e zgjidhjeve të shëndetit publik për komunitetet e margjinalizuara.

Disa kanë humbur staf që kanë dhënë dorëheqjen nga frika se mos bëhen shënjestër, ose po hasin vështirësi në rekrutimin e personelit të ri. Të tjerë kanë hequr me shpejtësi referencat ndaj shkaqeve të caktuara progresive nga faqet e tyre të internetit.

“Ka një frikë të madhe tani,” tha Sarah Saadian, nënkryetare e lartë në Këshillin Kombëtar të Jofitimprurëseve.

“Ne padyshim po dëgjojmë nga jofitimprurëset që janë vërtet të shqetësuara, të cilat po bëjnë ndryshime në atë që thonë publikisht.”

Sulmet e administratës ndaj sektorit – të cilin Trump vitin e kaluar pretendoi se ishte plot me “banditë dhe palaço” – kanë përkuar me një rritje të kërcënimeve të dhunshme, sipas një grupi të madh filantropik.

“Shumë nga përfituesit tanë, si dhe ne si fondacione, janë përballur me kërcënime online e të tjera dhe ne kemi pajtuar shërbime sigurie,” tha udhëheqësi i grupit.

OSF dhe organizata të tjera të mëdha dhënëse të granteve kanë thirrur përfituesit e tyre një nga një javët e fundit, për t’i siguruar ata për mbështetjen e tyre të vazhdueshme financiare, ligjore dhe logjistike.

“Ne i inkurajuam ata të vazhdojnë dhe të dinë se ku mund të na gjejnë,” tha John Palfrey, president i Fondacionit MacArthur.

“Do shihni që ne po shpenzojmë shumë më tepër para, jo më pak.”

Disa nga organizatat bamirëse më të vogla kanë nevojë për mbështetje financiare më shumë se kurrë pasi fondet nga qeveria amerikane u ndërprenë për shkak të mbështetjes së tyre për çështje si diversiteti dhe përfshirja, ndryshimet klimatike dhe ndihma e huaj.

Watkins tha: “Me zvogëlimin e dollarëve federalë që shkojnë në sektor, shumë organizata jofitimprurëse janë tepër të varura tani nga fondacionet private. Kjo është pothuajse si një goditje e dyfishtë.”

Organizaatat jofitimprurëset në SHBA po vuajnë nga një largim i stafit. Të dhënat e mbledhura nga The Chronicle of Philanthropy sugjerojnë se të paktën 22,000 vende pune u humbën në këtë sektor në gjashtë muajt e parë të vitit, pjesërisht për shkak të një shtrëngimi të fondeve.

Grupe të tilla janë gjithashtu shumë të cenueshme ndaj ndryshimeve në ligjin e taksave.

“OSF do mbijetojë nëse i hiqet statusi i përjashtimit nga taksat, por shumë OJQ nuk do mbijetojnë,” tha një person i afërt me OSF dhe Soros.

Në javët e fundit, Shtëpia e Bardhë ka kërkuar të zgjerojë përkufizimin e terrorizmit, duke zgjeruar strategjitë ligjore në dispozicion të saj dhe duke kërcënuar më tej aktivitetet publike të disa grupeve më të vogla.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, sugjeroi se një grup i vogël protestuesish që i bërtitën Trumpit gjatë vizitës së tij të fundit në një restorant në Uashington mund të ishin pjesë e një grupi të organizuar që kërkonte të “shkaktonte dëm, terror dhe shkatërrim” në SHBA, dhe pohoi se ata mund të përballeshin me akuza për mashtrim që zakonisht rezervohen për krimin e organizuar.

Në planin afatgjatë, fondacionet e mëdha janë të sigurta se do ta mposhtin sulmin e administratës Trump, veçanërisht pasi sektori deri tani ka qenë kryesisht i bashkuar në përgjigjen e tij ndaj kërcënimeve të Shtëpisë së Bardhë.

Udhëheqësi i organizatës së madhe filantropike tha: “Unë do t’ju kërkoja të krahasoni mënyrën se si kanë reaguar fondacionet ndaj kësaj, krahasuar me universitetet, apo firmat ligjore, ku ata janë shënjestruar një nga një. Shumë janë dorëzuar në një mënyrë ose në një tjetër…fondacionet nuk po e bëjnë këtë.”

Dega ekzekutive nuk ka fuqinë të shpikë krime të reja ose të caktojë në mënyrë të njëanshme grupe si terroristë, dhe ligji i ndalon zyrtarët nga agjencitë jashtë IRS-së të drejtojnë departamentin për të hetuar entitete ose individë specifikë.

Por hetimet qeveritare janë ende një “thithje e madhe energjie”, tha një person i njohur me strukturat e OSF, duke i detyruar ata të devijojnë burimet nga qëllimet bamirëse për të luftuar administratën.

Në mënyrë private, njerëzit brenda organizatës janë më të shqetësuar për ata me buxhete më të vogla, të cilët mund të mendojnë se duhet të shkurtojnë disa aktivitete për t’u mbrojtur nga Shtëpia e Bardhë.

Saadian tha: “Çdo dollar që një organizatë jofitimprurëse duhet të shpenzojë për të kundërshtuar pretendimet që bëhen kundër tyre është një dollar që ata nuk po e shpenzojnë në komunitetin e tyre ose që nuk po e përdorin për të ofruar shërbime të nevojshme.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani