“Lulet e Diellit” (Sunflowers), “Kafeneja e Natës” (The Night Café), “Karrigia” (Chair) — pikturat që Vincent van Gogh i pikturoi në Arles midis viteve 1888 dhe 1889 — janë gurëthemel të artit modern. Por rrëfimet e qëndrimit të tij në qytetin e vogël të Provansës gjithmonë zbehen nga tragjedia e asaj që ndodhi kur Paul Gauguin erdhi për të qëndruar me të atje. E dini historinë besoj: një grindje, një vesh i prerë. Nuk është e hijshme.
Megjithatë, brenda palëve të asaj historie të njohur fshihet një tjetër që do t’ju emocionojë dhe befasojë: sepse Arles ishte gjithashtu vendi ku Van Gogh takoi Joseph Roulin, një postier i dashur që u bë miku i tij më i madh. Të dy burrat ishin “si vëllezër”, tha pronari i Café de la Gare, vendi i tyre i preferuar i takimit, dhe Van Gogh gjithashtu u afrua me familjen e Roulin, të cilët u bënë modelet e tij të rregullta.
Pesëmbëdhjetë nga 26 portretet në serinë Roulin ekspozohen së bashku për herë të parë në Muzeun Van Gogh në Amsterdam, në një ekspozitë të konceptuar bashkërisht që ka udhëtuar nga Muzeu i Arteve të Bukura, Boston.
Van Gogh dhe Familja Roulin: Sërish bashkë më në fund përmban gjithashtu fotografi të familjes Roulin; piktura nga artistët e Epokës së Artë Holandeze, puna e të cilëve ndikoi në serinë Roulin; portretin e Madame Roulin nga Gauguin dhe një riprodhim në përmasa reale të Shtëpisë së Verdhë (Yellow House). Pamja që ndërton ekspozita, thotë bashkëkuratorja Nienke Bakker, “sfidon imazhin e Van Gogh-ut si një figurë e vetmuar dhe torturuar. Postieri ishte një prani e qëndrueshme dhe një shpirt binjak.”
Një shpirt binjak në Arles
Van Gogh arriti në Arles nga Parisi në shkurt 1888. Ashtu si shumë artistë të asaj epoke, ai erdhi në kërkim të dritës shkëlqyese të rajonit, por po mendonte edhe për një model të ri pune që shpresonte ta vendoste atë si një artist përparimtar. Duhet të ishin portrete, i tha ai vëllait të tij Theo – “e vetmja gjë në pikturë që më prek thellë” – dhe në mënyrë specifike të njerëzve të zakonshëm, siç i shkroi mikut të tij Émile Bernard: “qytetarë të mirë me familjet e tyre, burri, gruaja e tij, fëmija i tij”.
Është e logjikshme që Van Gogh, një shkrimtar i pasionuar letrash, të takonte Roulin, i cili ngarkonte dhe shkarkonte postën në stacionin e trenit. Në 15 muajt e tij në Arles, Van Gogh dërgoi më shumë se 200 letra, së bashku me disa piktura, te vëllai i tij tregtar arti, Theo.
Roulin u ul si model për Van Gogh-un për herë të parë në fund të korrikut.
“Tani jam duke punuar me një model tjetër,” i tha artisti Theo-s: “një postier me uniformë blu të rrethuar me ar, një fytyrë të madhe me mjekër, duke shumë si Sokrati. Një republikan i dhunshëm… Një njeri më interesant se shumica.”
Lidhja me familjen Roulin
Gruaja e Roulin-it, Augustine, dhe tre fëmijët e tyre ishin larg në atë kohë, dhe postieri, i privuar nga gatimi i shtëpisë dhe me më shumë kohë se zakonisht në dispozicion, pranoi të ulej për Van Gogh-un në këmbim të ushqimeve dhe pijeve në kafene. Progresi i shpejtë i miqësisë së tyre pasqyrohet në këto portrete të para, të cilat paraqesin bukur sytë e ndritshëm të Roulin-it, pamjen e kuqerremtë dhe sjelljen e tij të dashur.
“Ngrohtësia dhe mbështetja e palëkundur që Van Gogh mori nga familja Roulin, veçanërisht Joseph Roulin, nxitën një lidhje më të thellë emocionale në portretet që ai pikturoi rreth tyre,” thotë Bakker. “Shikuesit ndjejnë një lidhje me subjektet sepse i shohin ata përmes syve të dikujt që kujdesej thellësisht për ta.”
Në ekspozitë, kuratorët sugjerojnë se ideja e familjes mbante një rëndësi të veçantë për Van Gogh-un. Në janar, pasi e gjithë familja u ul për të qw t’i pikturonte – Camille (11 vjeç) me uniformën e tij të shkollës, Armand (17 vjeç), i cili ishte esnaf i një farkëtari, me një kapele dhe shall të kuq, foshnja Marcelle dhe nëna e saj – Van Gogh i tha Theo-s se ai e shihte familjen Roulin si një çift i martuar “shembullor”. Pikturat e tij të Augustine-s që lëkund djepin, “La Berceuse”, sugjerojnë një lloj figure amësore të përsosur.
Miku në kohë të vështirë
Van Gogh bëri pesë versione të kësaj vepre. Ai ishte në mes të njërit prej tyre kur, dy ditë para Krishtlindjeve dhe pas javësh tensioni në rritje në Shtëpinë e Verdhë, ai dhe Gauguin patën sherrin e zjarrtë që përfundoi me Van Gogh-un duke i prerë veshin, dhe Gauguin-in që u largua nga qyteti.
Ishte Roulin ai që u kujdes për Van Gogh-un, duke pastruar gjakun në Shtëpinë e Verdhë dhe duke e vizituar atë pothuajse çdo ditë gjatë qëndrimit të tij dyjavor në spital. Në ekspozitë janë letrat e tij drejtuar Theo-s duke e informuar për progresin e Van Gogh-ut. Tre ditë pas incidentit “ai është shumë i dobët dhe i dëshpëruar”; në fillim të janarit, “më vjen keq për hidhërimin që iu ka shkaktuar. Mos u shqetësoni; do bëj gjithçka që mundem për t’i dhënë atij pak shpërqendrim; një nga këto ditë ai do largohet nga spitali dhe do kthehet te pikturat e tij” dhe: “gjithmonë do bëj maksimumin tim për të merituar vlerësimin e mikut tim Vincent.”
Sa i mjeruar do ishte Van Gogh-u, kur Roulin mësoi më vonë atë muaj se po transferohej në Marsejë. Gjatë gjithë pranverës, Roulin u kthye në Arles sa më shpesh që mundej. Në prill, pas një vizite të tillë, Van Gogh i shkroi Theo-s duke e përshkruar postierin si “një shpirt kaq të mirë dhe kaq të mençur… kaq plot besim”, por dy javë më vonë, ai u shtrua vullnetarisht në spitalin psikiatrik Saint-Paul de Mausole në Saint-Rémy. Ai nuk e pa më kurrë Roulin-in.
Roulin nuk hoqi dorë nga miku i tij, duke i shkruar rregullisht nga Marseja. Pasi mësoi se Van Gogh kishte qenë shumë i sëmurë për të pikturuar, ai e nxiti atë të “punonte në fushat e bukura, të përfitonte nga modelet që të ofron natyra dhe se me punë shëndeti do kthehej”. Në shenjë falënderimi, Van Gogh i dërgoi Roulin-it dy piktura peizazhesh: një shtëpi të bardhë mes ullinjsh dhe një fushë gruri me male.
Van Gogh do vdiste nga vetëvrasja vitin pasues, në moshën 37-vjeçare. Letra e fundit e Roulin-it që ka mbijetuar përfshin dëshirën e tij që “një ditë përsëri do kemi lumturinë të shtrëngojmë duart dhe t’i themi njëri-tjetrit personalisht gjëra kaq të mira dhe të çimentojmë miqësinë tonë edhe një herë”. Duke e mbyllur, postieri dërgoi “përshëndetjet e sinqerta të të gjithë familjes sime, si dhe ato të atij që deklarohet miku juaj me të vërtetë i përkushtuar”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani




