
Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje Hamasit të përshpejtojë negociatat për një marrëveshje të mundshme paqeje, duke vlerësuar Izraelin për ndaljen e përkohshme të sulmeve ajrore në Gaza dhe duke paralajmëruar se çdo vonesë do të linte “të gjitha opsionet në tavolinë”, përcjell YNetNews.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se e vlerëson pauzën e përkohshme të Izraelit për të mundësuar lirimin e pengjeve, në përputhje me planin e tij për paqe.
“Nuk do të toleroj vonesa, siç shumëkush mendon se do të ndodhin, apo ndonjë rezultat ku Gaza paraqet sërish kërcënim. Ta mbyllim këtë punë, shpejt. Të gjithë do të trajtohen drejtësisht,” – shkroi Trump.
Deklarata e Trump vjen mes zhvillimeve të shpejta në negociata, pasi Hamasi u përgjigj pozitivisht ndaj “Planit me 20 Pika” të Trump, duke shprehur gatishmëri për të liruar të gjitha pengjet, por pa adresuar çështje kyçe si çarmatosja.
Një armëpushim i njëanshëm hyri në fuqi rreth orës 03:00 të mëngjesit, dhe sipas urdhrit të kryeministrit Benjamin Netanyahu, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kaluan nga operacionet ofensive në ato mbrojtëse në Gaza.
Netanyahu lëshoi një deklaratë të pazakontë natën vonë, duke përgatitur terrenin për “lirimin e menjëhershëm” të pengjeve sipas kornizës së Trump. Një zyrtar i lartë izraelit konfirmoi se plani ishte koordinuar me Trump dhe shtoi se “Izraeli nuk u befasua”. Sipas tij, Izraeli po braktis parimin e mëparshëm të negociatave “vetëm gjatë zjarrit”, në një marrëveshje pa precedent ku të gjitha pengjet do të liroheshin ndërsa IDF mbetet ende në Gaza.
Sipas planit amerikan, 48 pengjet do të liroheshin brenda 72 orëve pas dakordësimit nga të dy palët. Forcat izraelite do të qëndrojnë në Gaza përkohësisht, duke u tërhequr vetëm në një vijë të caktuar sipas hartës së planit amerikan, që mbulon qytetin e Gazës, si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes.
Delegacionet pritet të takohen në Kajro në ditët në vijim. Ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, do të udhëheqë ekipin izraelit, së bashku me koordinatorin për pengjet Gal Hirsch dhe përfaqësues nga Mossad dhe Shin Bet. Delegacioni amerikan do të përfshijë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, këshilltar i lartë i Trump.
“Këto janë ditë vendimtare,” tha një zyrtar izraelit. “Askush nuk po shkon atje për të bërë plazh. Witkoff do që ta përfundojë këtë proces shpejt. Do të diskutojmë lirimin e pengjeve dhe më pas elementet teknike të marrëveshjes.”
Ndërkohë, mijëra izraelitë pritet të mblidhen të shtunën në mbrëmje në “Sheshin e Pengjeve” në Tel Aviv për të kërkuar lirimin e të rrëmbyerve. Në një fjalim para protestës kryesore, Einav Zangauker, nëna e pengut Matan Zangauker, u shpreh:
“Kjo është dita e 729-të e pengmarrjes së Matanit. Kurrë nuk kemi qenë kaq pranë ta rikthejmë atë dhe të gjithë pengjet. Por sa më afër që jemi, aq më shumë Ben Gvir, Smotrich dhe Netanyahu do të përpiqen të sabotojnë këtë mundësi.”
Ajo i bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protesta:
“Nuk mund të mbështetemi vetëm te Trump. I ftoj të gjithë qytetarët — kushdo që dëshiron kthimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës — të dalin në rrugë.”