Elon Musk ka njoftuar planet për të ndërtuar një enciklopedi të re online për të rivalizuar Wikipedia-n, të cilën ai dhe kritikë të tjerë e përshkruajnë si politikisht të njëanshme. Ai pretendoi se versioni i tij do jetë një “përmirësim i stërmadh” mbi faqen ekzistuese.
Shërbimi i planifikuar, i quajtur Grokipedia, do fuqizohet nga kompania e Musk-ut, xAI, dhe modeli i saj gjenerues i AI, Grok, i cili tashmë është i integruar në platformën e tij sociale X. Musk ndau gjithashtu reagimet e përdoruesve ndaj njoftimit të së martës.
Këto përfshinin një logo tallëse që shkrinte Grok-un dhe Wikipedia-n, një meme që e përshkruante Musk-un si simbolin e vdekjes duke u përgatitur për të rrëzuar platformën, si dhe sugjerime nga bashkëthemeluesi i Wikipedia-s, i kthyer në kritik, Larry Sanger, se si të sigurohej asnjanësia në një bazë njohurish të redaktuar nga përdoruesit, shkruan Rt.
Musk zbuloi përpjekjen në përgjigje të një postimi nga këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për kriptovalutat dhe kibernetikën, David Sacks, i cili kritikoi Wikipedia-n. Sacks e quajti faqen punë të “një ushtrie aktivistësh të krahut të majtë” dhe jo burimin asnjanës të njohurive të bazuara në konsensus, siç pretendon të jetë. Ai paralajmëroi se rëndësia e Wikipedia-s në rezultatet e kërkimit të Google dhe roli i saj në trajnimin e modeleve të AI e bëjnë anësinë e saj të perceptuar “një problem të madh.”
Kritika e Sacks erdhi pas një interviste të fundit në të cilën Sanger i tha gazetarit Tucker Carlson se rregullat e Wikipedia-s, siç është përjashtimi i mediave konservatore nga lista e saj e “burimeve të besueshme”, çojnë në njëanshmëri sistematike.
Komentatorët konservatorë kanë akuzuar prej kohësh Wikipedia-n, e cila mbështetet te donacionet, se tradhton premtimin e saj për asnjanësi në tema të diskutueshme. Musk më parë e ka tallur platformën si “Wokipedia” dhe dikur ofroi 1 miliard dollarë nëse ajo pranonte të riemërtohej “Dickipedia” për një vit.
Musk pranoi se Grok përdori të dhëna të Wikipedia-s në trajnimin e tij, por tha se zhvilluesit “duhet ta rregullojnë këtë deri në fund të vitit.”

