
Zjarr i madh ka përfshirë pyjet dhe ullishtat në zonën e Baldushkut, duke shkaktuar dëme të mëdha në natyrë dhe në ekonominë lokale. Flakët kanë përfshirë fshatin e vjetër Kakunje, në Njësinë Administrative Baldushk – Tiranë, ku janë djegur ullinj shekullorë me vlera të jashtëzakonshme historike dhe ekologjike. Janë dëmtuar gjithashtu bletari të tëra, toka bujqësore dhe kultura sezonale, duke prekur dhjetëra familje.
Banorët dhe komuniteti kanë reaguar me shqetësim të madh, duke bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Bashkinë e Tiranës, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Komuniteti kërkon hetim për shkaqet e zjarrit, masa emergjente për ndihmë dhe kompensim të banorëve të prekur, si dhe plane afatgjata për rikuperimin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ndërkohë, banorët shprehin mirënjohje për forcat zjarrfikëse dhe vullnetarët që kanë punuar pa ndërprerje për të vënë flakët nën kontroll dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën në zonë.