
Godina historike e Sarajeve në kryeqytet do të shndërrohet në një muze të dedikuar artit dhe kulturës islame. Projekti u prezantua në një konferencë ndërkombëtare ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi këtë nismë si një vlerë të shtuar për Tiranën dhe për identitetin kulturor të vendit.
“Kultura dhe arti islam janë pjesë integrale e kulturës së Mesdheut dhe të Evropës. Ky muze, edhe pse modest në përmasa, është i domosdoshëm për të përcjellë një dëshmi që shpesh shihet si e munguar apo e pamundur”, u shpreh Rama, duke theksuar se kthimi i godinës së Sarajeve në identitetin e saj të plotë përbën një hap të rëndësishëm për pasurimin e kryeqytetit me qendra arti dhe historie.
Projekti parashikon që muzeu të përbëhet nga godina ekzistuese e Sarajeve dhe një strukturë bashkëkohore. Ai do të plotësojë mozaikun e hapësirave të reja kulturore në Tiranë, përkrah Teatrit, Galerisë së re, Muzeut Kombëtar dhe Muzeut të Hebrenjve.