
Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në mbrëmje në tubimin javor në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv, ndërsa të afërmit e pengjeve shprehën frikën në rritje se sulmi i dështuar i Izraelit në Katar kundër figurave të larta të Hamasit ka prishur negociatat për një marrëveshje për pengjet.
Tubimi filloi pas një marshimi nga stacioni i trenit Savidor në Tel Aviv, i udhëhequr nga familjet dhe mbështetësit e pengjeve. Demonstruesit mbanin një banderolë të madhe drejtuar Presidentit të SHBA-së Donald Trump, ku shkruhej në anglisht: “Netanyahu, mjaft e mashtrove Presidentin Trump”.
Një sërë ish-pengjesh folën në tubim, ndërsa protesta të ngjashme u zhvilluan në gjithë Izraelin. Në Rehovot, qindra njerëz u mblodhën në kryqëzimin e Parkut të Shkencës duke brohoritur: “Pse janë ende në Gaza?!”
Në Petah Tikva, protestuesit bllokuan hyrjet e një tubimi të partisë Likud ku ministrat po ngrinin dolli për festat, duke bërtitur: “Si mund të festoni kur vëllezërit tanë janë në tunele dhe ushtarët tanë në prag të një hyrjeje të rrezikshme në Qytetin e Gazës?!”

Qindra demonstruan gjithashtu në kryqëzimin e Karkur.
Në Haifa, mijëra njerëz u mblodhën në kryqëzimin e ngarkuar të Horev, duke kërkuar fundin e luftës dhe lirimin e të gjithë robërve. Një tjetër tubim u zhvillua në Be’er Sheva.
Të premten, pas sulmit në Doha, familjet e pengjeve dhe robërit e liruar kërkuan një takim të menjëhershëm me kryeministrin Netanyahu.
“Ndërsa udhëheqësit në mbarë botën hapin dyert e tyre për familjet e pengjeve, kryeministri i Izraelit e lë derën e tij të mbyllur për ta dhe për çdo marrëveshje të propozuar”, tha Forumi i Familjeve të Pengjeve.
“Nëse keni kohë për dolli për festat, keni kohë të na takoni.”
Ajo që ka ndodhur me zyrtarët e Hamasit të shënjestruar në sulmin e para pak ditëve nuk dihet ende me siguri. Hamasi pretendoi të shtunën, pa prova, se Khalil al-Hayya, kreu i ekipit të tij negociator, mbijetoi dhe më vonë u pa duke u lutur në varrin e djalit të tij, të vrarë në sulm. Grupi nuk ka konfirmuar gatishmërinë për të rifilluar negociatat dhe Katari nuk ka thënë nëse do e vijojë ndërmjetësimin e tij. Egjipti gjithashtu nuk ka dhënë asnjë shenjë për plane të menjëhershme për të pritur bisedime, shkruan Ynet.
Trump ka bërë një propozim sipas të cilit 48 pengjet – të gjallë dhe të vdekur – do liroheshin, të ndjekura nga negociatat drejt një armëpushimi. Ky plan tani duket se është në rrezik për shkak të pasojave të sulmit.