
Partia Socialiste mban sot mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme, ku pritet që kryeministri Edi Rama të prezantojë listën e emrave që do të jenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar, në kuadër të mandatit të katërt të PS-së në drejtimin e vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar një foto nga zyra e tij në Kryeministri, duke paralajmëruar takimin e sotëm me fjalët: “MIRËMËNGJES 😊 Shihemi në 11.00.”
Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, kreu i qeverisë pritet të prezantojë jo vetëm përbërjen e re të ekzekutivit, por edhe drejtimet strategjike të qeverisjes për katër vitet e ardhshme. Në fokus do të jenë sfidat kyçe për vendin dhe reformat e nevojshme për avancimin në procesin e integrimit evropian.
Sipas burimeve nga PS, prioritet mbetet agjenda e integrimit në Bashkimin Evropian, e përmbledhur nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”, që synon një përshpejtim të reformave në drejtësi, administratë dhe zhvillim ekonomik.
Mbledhja pritet të nisë në orën 11:00 dhe do të ndiqet me vëmendje nga opinioni publik dhe mediat, për të mësuar se cilët do të jenë emrat e rinj apo rikthimet në qeveri, si dhe drejtimet që do të marrë qeverisja e mandatit të katërt të Edi Ramës.