
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u bëri thirrje Katarit dhe vendeve të tjera që, sipas tij, strehojnë terroristë, që t’i dëbojnë ata ose t’i vënë përpara drejtësisë – ndryshe, paralajmëroi ai, “do ta bëjmë ne.”
Duke kujtuar përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, Netanyahu deklaroi: “E nesërmja është 11 Shtatori… Në atë ditë, terroristët islamikë kryen mizorinë më të rëndë në tokën amerikane që nga themelimi i SHBA-së. Ne gjithashtu kemi 11 Shtatorin tonë. E kujtojmë 7 Tetorin – ditën kur terroristët islamikë kryen mizorinë më të madhe ndaj popullit hebre që nga Holokausti.”
Ai tha se Izraeli po ndjek të njëjtën rrugë si Shtetet e Bashkuara pas 11 Shtatorit, duke ndjekur dhe goditur autorët e masakrës së 7 Tetorit. “Dje, vepruam sipas këtij parimi. Ne goditëm drejtuesit terroristë që organizuan masakrën e 7 Tetorit,” tha ai.
Netanyahu shtoi se operacioni izraelit u zhvillua në Katar, një vend që, sipas tij, u ofron terroristëve të Hamasit vila luksoze, mbështetje financiare dhe strehim të sigurt. Ai akuzoi Katarin për mbështetje të drejtpërdrejtë të Hamasit dhe tha se kjo situatë nuk mund të tolerohet më, përcjell Jerusalem Post.
Sulmi ajror i kryer nga Izraeli më 9 Shtator në Doha shkaktoi plagosjen e dy zyrtarëve të lartë të Hamasit. Pamjet nga vendngjarja treguan shpërthime dhe tym në kryeqytetin katarian, ndërkohë që zyrtarët izraelitë e cilësuan goditjen si pjesë të një operacioni të drejtpërdrejtë kundër “arkitektëve të terrorit”.
Reagimi i Katarit ishte i menjëhershëm. Kryeministri katarian, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, në një intervistë për CNN, e quajti veprimin izraelit një akt që “po e çon Lindjen e Mesme drejt kaosit.” Ai konfirmoi se disa oficerë të sigurisë së Katarit u plagosën rëndë dhe se vendi po rishikon të gjithë rolin e tij si ndërmjetësues në konfliktin Izrael-Hamas, përfshirë edhe të ardhmen e Hamasit në Gaza.
Al Thani akuzoi gjithashtu Netanyahun për “humbje kohe” me procesin e ndërmjetësimit dhe deklaroi se po zhvillohen bisedime me partnerë rajonalë për të vendosur për hapat e mëtejshëm.
Në përfundim të deklaratës së tij, Netanyahu lëshoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë: “U them Katarit dhe të gjitha vendeve që strehojnë terroristë: ose i dëboni, ose i nxirrni para drejtësisë. Sepse nëse nuk e bëni ju, do ta bëjmë ne.”