Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Apelit bllokon përdorimin e ligjit të vitit 1798 nga Trump për dëbimin e anëtarëve të bandës venezueliane


Një panel prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit të Qarkut të 5-të vendosi të martën se presidenti Donald Trump nuk mund të përdorë Ligjin e Armiqve të Huaj të vitit 1798 për të përshpejtuar dëbimin e personave që administrata e tij i akuzon si anëtarë të bandës venezueliane Tren de Aragua.

Vendimi përbën një goditje për një nga politikat kryesore të administratës dhe pritet të përfundojë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Paneli, i njohur si një nga gjykatat federale më konservatore në vend, pranoi argumentet e avokatëve të të drejtave të emigrantëve dhe të gjykatave më të ulëta se ligji i shekullit të 18-të nuk ishte menduar për situata të tilla.

Lee Gelernt, avokat i ACLU-së që argumentoi çështjen, u shpreh: “Përdorimi nga administrata Trump i një ligji lufte gjatë kohës së paqes për të rregulluar imigracionin u ndalua me të drejtë nga gjykata. Ky është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm që frenon idenë e administratës se mund të shpallë një emergjencë pa asnjë mbikëqyrje gjyqësore.”

Vendimi, i marrë me dy vota pro dhe një kundër, ndalon dëbimet në shtetet Teksas, Luiziana dhe Misisipi. Në shumicë ishin gjyqtarët Leslie Southwick, i emëruar nga George W. Bush, dhe Irma Carrillo Ramirez, e emëruar nga Joe Biden, ndërsa gjyqtari Andrew Oldham, i emëruar nga Trump, doli kundër, sipas AP.

Në vendim, shumica e gjyqtarëve theksuan se akuzat e Trump-it për Tren de Aragua nuk përmbushin standardet historike të një konflikti kombëtar për të justifikuar zbatimin e ligjit: “Inkurajimi i shtetasve për të hyrë ilegalisht në këtë vend nuk është ekuivalenti modern i një force të armatosur që synon të pushtojë apo të dëmtojë Shtetet e Bashkuara.”

Në një opinion kundërshtues të gjatë, gjyqtari Oldham akuzoi kolegët se po “ndërhynin në fushat e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare, ku gjykatat zakonisht i japin presidentit një hapësirë të gjerë veprimi.”

Vendimi i panelit, që mund të ankimohet në të gjithë Gjykatën e Apelit të Qarkut të 5-të ose të dërgohet drejtpërdrejt në Gjykatën e Lartë, konsiderohet si një hap drejt një vendimi përfundimtar që do të përcaktojë nëse një grup kriminal mund të klasifikohet si “armik i huaj” sipas ligjit të vitit 1798.

Gjykata e Lartë është përfshirë dy herë më parë në këtë çështje. Fillimisht, ajo lejuan përdorimin e ligjit për dëbime, por vendosi që emigrantët të kishin mundësi reale të mbronin rastin e tyre para gjykatës.

Më vonë, ndërhyri sërish duke pezulluar dëbimet masive deri në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Çështja mbetet e hapur për një përballje të plotë ligjore në Gjykatën e Lartë, që do të përcaktojë nëse administrata mund të zgjerojë përdorimin e këtij ligji historik në kontekste moderne të sigurisë dhe emigracionit.