Vendosni fjalën kyçe....

Finlanda heq svastikën nga flamujt e forcave ajrore


Forcat Ajrore të Finlandës, tashmë pjesë e NATO-s, kanë nisur procesin e heqjes së svastikave nga disa prej flamujve të njësive të tyre, një simbol që ka qenë pjesë e heraldikës së tyre që prej vitit 1918, shumë përpara se ai të lidhej me regjimin nazist.

Ky vendim vjen për të shmangur situatat “të sikletshme” me aleatët perëndimorë dhe për të përmirësuar integrimin e vendit në strukturat e aleancës.

“Të kishim vazhduar me këtë flamur, por ndonjëherë mund të lindin situata të pakëndshme me vizitorë të huaj. Ndoshta është më e mençur të ecim me kohën,” deklaroi Tomi Böhm, kreu i forcave të mbrojtjes ajrore të Karelias, për transmetuesin shtetëror, përcjell Euronews.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, procesi për përditësimin e simboleve nisi në vitin 2023, kur Finlanda iu bashkua NATO-s, por nuk ishte drejtpërdrejt i lidhur me këtë anëtarësim.

Në një deklaratë për Associated Press, Forcat e Armatosura thanë se synimi është “të përditësohen simbolet dhe emblemat e flamujve për të pasqyruar më mirë identitetin aktual të Forcave Ajrore”.

Megjithatë, raportimi i të përditshmes Helsingin Sanomat zbuloi se shkaku kryesor lidhej me perceptimin e svastikës si një simbol “të turpshëm në kontekste ndërkombëtare”, veçanërisht gjatë ceremonive ku marrin pjesë përfaqësues të aleatëve perëndimorë.

Profesori i politikës botërore në Universitetin e Helsinkit, Teivo Teivanen, autor i librit “Historia e Svastikës”, tha se në Finlandë është këmbëngulur prej vitesh se svastika që përdorej nga forcat ajrore nuk kishte asnjë lidhje me atë naziste.

Por ai shtoi:
“Tani, pas integrimit me NATO-n, është krijuar nevoja për t’u përshtatur më shumë me forcat e vendeve si Gjermania, Holanda dhe Franca — vende ku svastika perceptohet qartësisht si simbol negativ.”

Svastika u adoptua nga forcat ajrore finlandeze në vitin 1918, pak pas shpalljes së pavarësisë së vendit nga Perandoria Ruse, dhe u përdor në të gjitha avionët nga viti 1918 deri në vitin 1945.

Edhe pas luftës, ajo mbeti në disa flamuj njësish dhe dekorata, si dhe në emblemën e Akademisë së Forcave Ajrore.

Ky ndryshim shënon një tjetër hap të rëndësishëm në harmonizimin e simboleve dhe imazhit të ushtrisë finlandeze me standardet e aleancës së Atlantikut të Veriut.