Vendosni fjalën kyçe....

Familjet e pengjeve izraelite shpallin grevë kombëtare më 24 gusht



Familjet e pengjeve izraelite që mbahen në Gaza njoftuan të hënën se të dielën, më 24 gusht, do të organizojnë një grevë të dytë kombëtare, ndërsa mediat arabe raportuan se Hamasi ka pranuar propozimin më të fundit për armëpushim, përcjell YNetNews.

“Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve” bëri të ditur se përveç grevës së planifikuar, gjatë kësaj jave do të zhvillohen edhe aksione të tjera, detajet e të cilave do të shpallen më vonë. “Ngjarjet në të gjithë vendin treguan qartë dhe me zë të lartë atë që dëshiron shumica e popullit: kthimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës,” thuhet në deklaratë. Vetëm dje, sipas forumit, rreth 2.5 milionë izraelitë dolën në rrugë për të protestuar.

Më herët, forumi u kishte dërguar një letër presidentit amerikan Donald Trump, duke e nxitur të sigurojë një “marrëveshje të të gjitha marrëveshjeve” që do të ndalte luftimet dhe do të kthente 60 pengjet në shtëpi. Në letër, ata paralajmëruan se çdo ditë lufte rrezikon jetën e pengjeve të mbetur gjallë dhe vështirëson kthimin e trupave të të vrarëve.

“Çdo bombë që bie, çdo ditë që kjo luftë vazhdon, rrezikon që pengjet të ekzekutohen dhe trupat e të vdekurve të zhduken përgjithmonë,” shkruajnë familjet. Ata i bënë thirrje Trump-it që ta shënojë trashëgiminë e tij historike si “lideri që i dha fund luftërave dhe solli njerëzit tanë në shtëpi, duke krijuar një të ardhme për familjet tona dhe për popullin e Gazës.”