
Presidenti amerikan Trump, e intensifikoi luftën e tij tregtare me Kanadanë një ditë përpara afatit të tij të 1 gushtit për një marrëveshje tarifore, duke thënë se do ishte “shumë e vështirë” të arrihej një marrëveshje me Kanadanë, pasi ajo i dha mbështetjen e saj për shtetin e ri palestinez.
Trump është gati të vendosë një tarifë prej 35% për të gjitha mallrat kanadeze që nuk mbulohen nga marrëveshja tregtare SHBA-Meksikë-Kanada nëse dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje deri në afatin e caktuar.
“Uau! Kanadaja sapo ka njoftuar se po mbështet shtetësinë për Palestinën. Kjo do ta bëjë shumë të vështirë për ne që të bëjmë një marrëveshje tregtare me ta”, tha Trump në Truth Social, shkruan Reuters.
Kryeministri kanadez Mark Carney tha më parë se negociatat e tarifave me Uashingtonin kishin qenë konstruktive, por bisedimet mund të mos përfundojnë brenda afatit. Bisedimet midis dy vendeve ishin në një fazë intensive, shtoi ai, por një marrëveshje që do hiqte të gjitha tarifat e SHBA-së ishte e pamundur.
Kanadaja është partneri i dytë më i madh tregtar i SHBA-së pas Meksikës dhe blerësi më i madh i eksporteve të SHBA-së. Ajo bleu 349.4 miliardë dollarë mallra të SHBA-së vitin e kaluar dhe eksportoi 412.7 miliardë dollarë në SHBA, sipas të dhënave të Byrosë së Regjistrimit të SHBA-së.
Kanadaja është gjithashtu furnizuesi kryesor i çelikut dhe aluminit në Shtetet e Bashkuara dhe përballet me tarifa si për metalet, ashtu edhe për eksportet e automjeteve.
Muajin e kaluar, qeveria e Carney-t hoqi një taksë të planifikuar për shërbimet dixhitale që synonte firmat e teknologjisë amerikane pasi Trump ndërpreu papritur bisedimet tregtare duke thënë se taksa ishte një “sulm i hapur”.
Carney ndoqi Francën dhe Britaninë, ndërsa tha të mërkurën se vendi i tij po planifikonte të njihte Shtetin e Palestinës në një takim të Kombeve të Bashkuara në shtator. Duke njoftuar vendimin, Carney foli për realitetin në terren, përfshirë urinë në Gaza.
“Kanadaja dënon faktin që qeveria izraelite ka lejuar që një katastrofë të ndodhë në Gaza”, tha ai.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, aleati më i ngushtë i Izraelit, i hodhën poshtë komentet e Carney-t.