Vendosni fjalën kyçe....

BE miraton ligjin e ri që ndalon informacionin mashtrues mjedisor te produktet


Parlamenti Evropian miratoi një direktivë që synon mbrojtjen e konsumatorëve nga marketingu mashtrues.

Parlamenti Evropian të mërkurën i dha dritën jeshile përfundimtare një ligji të ri që ndalon pretendimet mashtruese mjedisore mbi produktet dhe përmirëson etiketimin.

Anëtarët votuan me shumicë dërrmuese në favor të direktivës e cila synon të mbrojë konsumatorët nga praktikat mashtruese të marketingut dhe t’i ndihmojë ata të bëjnë zgjedhje më të mira blerjeje.

“Për të arritur këtë, një sërë zakonesh problematike të marketingut që lidhen me larjen e gjelbër dhe vjetërimin e hershëm të mallrave do t’i shtohen listës së BE-së të praktikave tregtare të ndaluara,” tha parlamenti në një deklaratë.

Kjo do të thotë se termat që përfshijnë “miqësore ndaj mjedisit”, “biodegradueshëm” dhe “neutral ndaj klimës” nuk duhet të përdoren më në reklama ose në paketim pa prova konkrete.

Kur rregullat e reja të futen në shtetet anëtare, vetëm etiketat e qëndrueshmërisë të bazuara në skemat zyrtare të certifikimit ose të vendosura nga autoritetet publike do të lejohen në BE.

Për më tepër, direktiva do të ndalojë pretendimet se një produkt ka një ndikim “neutral ndaj klimës”, “të reduktuar” ose “pozitiv ndaj klimës” në mjedis për shkak të skemave të kompensimit të emetimeve të CO2.

BE tha se ndërsa investimet nga kompanitë në projektet e mbrojtjes së klimës ishin të mirëseardhura dhe ende mund të komunikoheshin por ato nuk mund të mashtronin më njerëzit të besonin se një produkt ishte “i mirë sepse kompania mbolli pemë diku”.

Ai tha se ky ishte një sukses i madh për mjedisin, klimën dhe konsumatorët.

Një objektiv tjetër i rëndësishëm i ligjit të ri është që prodhuesit dhe konsumatorët të fokusohen më shumë në qëndrueshmërinë e mallrave. Në të ardhmen, informacioni i garancisë do të duhet të jetë më i dukshëm dhe do të krijohet një etiketë e re e harmonizuar për t’i dhënë rëndësi më të madhe mallrave me një periudhë garancie të zgjatur.

Miratimi i direktivës vjen pas muajsh negociatash midis institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se si duhet të rregullohen pretendimet mjedisore.

Shtetet anëtare kanë tani dy vjet për të prezantuar rregullat e reja.