
Në Elbasan ka nisur zbatimi i fazës së parë të fushatës kombëtare për lirimin e hapësirave publike, ku shumë biznese përgjatë bulevardit qendror po heqin vullnetarisht tendat dhe strukturat metalike, pa pasur praninë e IKMT-së apo policisë bashkiake.
Fushata, e ndërmarrë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, parashikon që pas datës 31 korrik të ndërhyhet drejtpërdrejt në rast se bizneset nuk kanë zbatuar kërkesat për heqjen e ndërtimeve pa leje.
Pronarët e dyqaneve shprehen të shqetësuar për ndikimin që kjo masë mund të ketë në aktivitetin ekonomik dhe vendet e punës, ndërsa kërkojnë zgjidhje alternative dhe një plan të qartë për riorganizimin e hapësirave publike.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se mund të lejohet vendosja e çadrave dhe elementëve të tjerë të përkohshëm, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet.