
Tre persona janë arrestuar lidhur me zjarret në vend.
Një 58-vjeçar është arrestuar në Shetel pasi akuzohet se |i ka vënë zjarrin mbeturinave të tij, zjarfr që më pas është përhapur në një sipërfaqe të pyllëzuar në fshat, pjesë e Shijakut, duke rrezikuar djegien e disa banesave.
“Falë veprimeve të shpejta hetimore, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. B., 58 vjeç, banues në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak. Arrestimi i tij u bë pasi, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar në fshatin Shetel, duke rrezikuar edhe banesat pranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, mbi bazën e nenit 206/a të Kodit Penal, “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve ose i mjedisit pyjor”,- njofton policia.
Në Vlorë është prangosur një 33-vjeçar i cili ka ndezur zjarr në tokën e tij për pastrimin e barerave të këqija por flakët janë shpërndarë duke djegur një sipërfaqe të madhe me shkurre e bimë.
“Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë ndaluan shtetasin E. F., 33 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë. 33-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barërave, në një sipërfaqe toke kullotë në pronësi të tij, në vendin e quajtur “Gryka e Zguros”, në malin e Shashicës, ku si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme, me shkurre dhe bimësi të dendur. Zjarri është përhapur edhe në drejtim të territorit të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Vlorës.
Një 63-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi akuzohet se për shkak të zjarrit të ndezur prej tij pranë Malit me Gropa është djegur një sipërfaqe rreth 600 hektarë me kullota e bimësi brenda Parkut të Dajtit.
“Policia e Tiranës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të zjarrvënies së ndodhur një ditë më parë në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa, ku u dogjën rreth 600 hektarë kullota dhe bimësi natyrore brenda Parkut Kombëtar të Dajtit. I arrestuari është Bahri Hysa, 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë. Hetimet paraprake tregojnë se ai, gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë në vendin e quajtur “Fushë Stanë”. Zjarri, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, është përhapur me shpejtësi, duke përfshirë lugina dhe zona të tilla si Gryka e Mullinit dhe Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të zonës së mbrojtur. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.