Vendosni fjalën kyçe....

Aksident tragjik në Tepelenë, humb jetën një fëmijë 7-vjeçar, katër të lënduar



Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës
14:30 të ditës së sotme në aksin Tepelenë–Krahës, në vendin e njohur si “Kthesa e Luftinjës”, ku janë përfshirë dy automjete.

Sipas të dhënave paraprake, njëri nga automjetet drejtohej nga shtetasi B. D., banues në fshatin Kalivaç, ndërsa mjeti tjetër nga shtetasi ukrainas V. T., 38 vjeç.

Përplasja ka rezultuar fatale për një të mitur 7-vjeçar, djalin e çiftit B. D. dhe S. D., i cili ka ndërruar jetë gjatë transportit drejt spitalit. Prindërit e tij kanë marrë dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, edhe shtetasi ukrainas dhe një pasagjer që ndodhej në mjetin e tij kanë pësuar lëndime të lehta dhe po marrin trajtim mjekësor në spitalin rajonal.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion mbi dinamikën e përplasjes, ndërkohë që rruga ku ndodhi aksidenti është e njohur për kthesat e rrezikshme dhe shikueshmërinë e kufizuar.