Vendosni fjalën kyçe....

Burgim i përjetshëm për Festim Bexhdilin – Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës


Gjykata e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me burgim të përjetshëm të Festim Bexhdilit, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020.

Bexhdili, i njohur si kopshtari i kompleksit “Golden Resort” në periferi të Tiranës, është shpallur fajtor për përfshirjen në një nga ngjarjet më tronditëse kriminale të viteve të fundit në Shqipëri.

Sipas hetimeve të SPAK, Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe më pas u transportua drejt ambientit të resortit, ku dyshohet se është dhunuar rëndë dhe më pas është zhdukur pa lënë gjurmë. Deri më sot, trupi i tij nuk është gjetur.

Vendimi i Apelit i jep fund rrugës së ankimit për Bexhdilin në nivelin gjyqësor brenda vendit, ndërkohë që SPAK e cilëson rastin si një akt të pastër kriminal me lidhje me grupet e trafikut ndërkombëtar të drogës.