
Policia e Delvinës ka arrestuar në flagrancë një 44-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri dhe municion luftarak në automjetin e tij, në kuadër të operacionit të koduar “Ngarkesa”.
I ndaluari është Eqerem Sorra, banues në Vlorë, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Sarandës, të mbështetura nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Sorra u ndalua në vendin e quajtur “Blerimas”, në Delvinë, ndërsa drejtonte një automjet tip “Toyota”. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me 30 fishekë.
Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Policia bëri me dije se materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme hetimore.