Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në Dukat, Shqipëria kërkon ndihmën e BE-së – Aktivizohet Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile


Për shkak të përkeqësimit të situatës së zjarrit në Dukat të Vlorës, qeveria shqiptare ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Europian duke aktivizuar Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Vlorës ku takoi tre zjarrfikës të lënduar, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Ministri Vengu bëri të ditur se avionët zjarrfikës të BE-së pritet të mbërrijnë në Shqipëri në orët në vijim për të ndihmuar në përballimin e flakëve që kanë marrë përmasa të mëdha dhe po kërcënojnë seriozisht Parkun Kombëtar të Llogarasë.

“Janë ditë që do të vijojnë të jenë të vështira përsa i përket luftës kundër zjarreve, sidomos në zonat malore dhe pyjore. Kemi mobilizuar Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile në mënyrë që të kemi mbështetje dhe nga vendet partnere,” u shpreh ministri.

Ai paralajmëroi gjithashtu për rritje të mëtejshme të temperaturave në ditët në vijim.

“Do jenë ditë me temperatura shumë të larta, me maksimumin të enjten dhe të premten, sipas parashikimeve të meteorologjisë ushtarake. Në mbarë territorin jemi në gatishmëri të plotë,” tha Vengu, duke shtuar se do të ketë raportime të vazhdueshme për situatën dhe dislokimin e forcave në terren.

Zjarri në Dukat është riaktivizuar dy ditë më parë, ndërsa vatra kishte shpërthyer fillimisht rreth dhjetë ditë më parë. Terreni i vështirë malor dhe përhapja e shpejtë e flakëve kanë vështirësuar ndërhyrjen nga toka, duke bërë të nevojshme përdorimin e helikopterëve të ushtrisë për ndërhyrje nga ajri.

Autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë për të përballuar sfidat e shkaktuara nga kushtet ekstreme të motit dhe zjarret që rrezikojnë zonat e mbrojtura natyrore.