
Pas arrestimit të 14 doganierëve grekë në pikën kufitare të Mavromatit – përballë doganës së Qafë Botës në kufirin Shqipëri–Greqi – qarkullimi në këtë pikë kufitare është rënduar ndjeshëm, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh dhe pritje deri në 3 orë për kalim.
Shkak për situatën janë bërë mungesa e personelit dhe kontrollet e imtësishme të mjeteve që kalojnë kufirin. Sipas deputetit të zgjedhur Vasil Llajo, të hënën pritet të hyjë në fuqi një regjim i ri qarkullimi, ku hyrja dhe dalja do të ndahen në kahe të ndryshme, duke synuar lehtësimin e trafikut.
Për të përballuar situatën, Ministria Greke e Ekonomisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka shpallur 10 vende të lira pune për doganën e Mavromatit, të cilat do të plotësohen përmes një procedure të përshpejtuar.
Zyrtarët e arrestuar dyshohet se janë përfshirë në skema korrupsioni dhe kontrabande, çka ka sjellë pasoja direkte në funksionimin normal të doganës. Më herët, Llajo ka kërkuar që dogana Qafë Botë–Mavromati të jetë e hapur 24 orë, për të përballuar fluksin e lëvizjes në sezonin turistik.