
Vala e dorëheqjeve në bashkitë e vendit ka vijuar pasditen e sotme me Gjirokastrën dhe Lushnjën ku kanë dhënë dorëheqjen dhjetëra drejtorë.
Kështu në Gjirokastër janë larguar administratorët e njësive Gjirokastër, Cepo, Picar, Odrie, Lunxhëri, Lazarat dhe Antigonë.
Burime nga bashkia bëjnë me dije se largimi i tyre është pjesë e procesit të “vetëvlerësimit të administratës”, ndërkohë që do të vijojnë të ushtrojnë detyrën deri në emërimin e pasardhësve. Kryebashkiaku Flamur Golemi nuk ka bërë ende një koment publik mbi dorëheqjet.
Edhe në Bashkinë e Lushnjës është zbatuar kërkesa e kryeministrit Rama për dorëheqje në funksion të ristrukturimit të administratës vendore.
Ky zhvillim vjen si pjesë e një nisme më të gjerë për të sjellë frymë të re në drejtimin vendor dhe për të rritur efektivitetin e administratës publike në nivel lokal sipas porosive të kreut të qeverisë.