
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e quan projekt antishqiptar aksionin e qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit.
Në një konferencë për mediat, ish-kryeministri Berisha tha se Rama është sjellë me banorët e Thethit si pushtues i egër, duke marrë në mbrojtje edhe ndërtimet pa leje.
Sipas Berishës, në Theth, por në të gjithë veriun, nuk ekziston asnjë pëllëmbë tokë e xanun, por ato toka janë trashëgimi shekullore e paraardhësve.
“Rama është sjellë me Thethin njëlloj si malazezët, turqit, serbët, Mehmet Shehu. Është sjellë me Thethin dhe dukagjinasit si një pushtues i egër. Armiqësia e Edi Ramës ndaj banorëve të Thethit tejkalon të gjitha armiqësitë e njohura gjer sot ndaj tyre.
Edi Rama përdori praktikat më të ulëta morale, pafytyrësinë dhe pabesinë më të madhe për të realizuar një projekt shkatërrimtar për banorët, një projekt mafioz, një projekt antishqiptar, një projekt hakmarrës, primitiv. Shqiptarët duhet ta dinë se në Theth absolutisht nuk ekziston absolutisht asnjë pëllëmbë tokë e xanun, jo në Theth, po as në veri askund sepse tokën ata e kanë trashëgimi shekullore të paraardhësve të tyre dhe nuk kanë marrë kurrë asnjë pëllëmbë tokë të tjetërkujt apo tokë të askujt. Ka edhe toka të askujt, mera quhen, toka publike”, tha Berisha.
Berisha bëri thirrje për dëmshpërblimin e të gjitha banesave, duke thënë se ishte Rama ai që u premtoi banorëve të Thethit legalizime.
“Krim shtetëror i kryer ndaj banorëve të Thethit dhe kërkoj ndërprerjen e këtij terrori. Dëmshpërblimin e të gjitha banesave të prishura, të premtuara se do legalizohen nga Edi Rama. I ka me zë dhe figurë premtimet e tij, inkurajimin, mashtrimin e tyre. Çdo gjë bëhet për të mbuluar funeralin elektoral të 11 majit”, tha Berisha.
I gjithë ky aksion, sipas Berishës, po bëhet për të mbuluar ‘funeralin elektoral’ të 11 majit, siç ai e cilësoi. E kështu, pas 2 muajsh zgjedhje, kreu i PD, vijoi me përpjekjet e tij për të faktuar farsën e 11 majit.