
Gjykata e Posaçme vendosi masën e arrestit shtëpiak për Roven Zekën, ish-shefin e Komisariatit Rrugor të Tiranës, i arrestuar në prill nga SPAK për korrupsion.
Zeka u arrestua më 19 prill 2025, me urdhër të SPAK, së bashku me dy ish-zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit, Edison Tabaku dhe Sokol Novaku. Ata akuzohen për korrupsion, pasi dyshohet se kanë marrë para nga një shtetase e përfshirë në një aksident rrugor, në mënyrë që çështja të mos referohej në prokurori dhe të shmangej hetimi penal.
Më herët, Apeli i GJKKO kishte lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Zekën dhe Tabakun, ndërsa për Sokol Novakut iu zbut masa në arrest shtëpie për shkak të rrethanave familjare. Me vendimin e fundit, edhe Roven Zeka do ta vijojë masën e sigurisë në shtëpi.