
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me deputetët e qarkut të Tiranës për të diskutuar problematikat e konstatuara në terren. Duke u ndalur te zhvillimet në Theth, Rama theksoi se janë goditur 40 subjekte që kishin ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe se nuk do të tolerohet asnjë shkelje e ligjit, kudo në vend.
Rama i konsideroi të pabazuara protestat dhe akuzat ndaj qeverisë për situatën në Theth, duke sqaruar se shumica e ndërtimeve të shembura nuk u përkisnin banorëve vendas dhe ishin ngritur për qëllime fitimi. Ai mohoi gjithashtu spekulimet për ndërtimin e resorteve turistike në këtë zonë të mbrojtur.
Kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria nuk ka shkelur asnjë premtim ndaj banorëve.
Ai theksoi se qeveria ka mbajtur zotimin për legalizimin e pronave të vjetra të banorëve të zonës, duke evidentuar se janë përfunduar rreth 300 legalizime në Theth.
“Premtimi ynë ka qenë legalizimi i pronave të gjyshërve, jo ndërtime të reja pa leje në këmbim të votave. Janë legalizuar 300 objekte në Theth. Nuk kemi premtuar legalizime për vota. Kush ka ndërtuar në shkelje, do përballet me ligjin. Të gjitha ndërtimet abuzive do të shemben”, deklaroi Rama.
Kryeministri njoftoi se aksioni për lirimin e hapësirave publike është shtrirë edhe në zonat bregdetare dhe paralajmëroi konfiskimin e një pallati në Vlorë.
“Sot do të bëhet një konfiskim i një pallati në Vlorë që është në shkelje. Ky proces synon të bashkojë dy gjëra, kemi marrë përsipër të mbyllim legalizimet brenda 2028, por ta harrojë kushdoqoftë që do legalizojë në shkelje të ligjit. Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, nuk do të ketë asnjë tolerancë asnjë ndalim më në këtë proces.”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi aksionin për lirimin e hapësirave publike si pjesë të “Rilindjes Urbane 2.0”, një proces që, sipas tij, nuk do të ndalet derisa të zhduken përfundimisht ndërhyrjet abuzive në territor.
Gjatë një takimi me deputetët e Tiranës, Rama theksoi se ky është një operacion i vështirë, por i domosdoshëm, që mund të shoqërohet edhe me një akt normativ të posaçëm.
“Tirana është zona më e nxehtë, nuk ka lagje apo bllok banimi pa zaptuesin e vet”, deklaroi ai, duke shtuar se po hartohen plane konkrete veprimi në të gjitha qarqet.
Ai tha se janë ngritur grupe arkitektësh për të dizajnuar projektet e rikualifikimit urban në zonat ku po kryhen shembje, ndërsa paralajmëroi një kontroll më të rreptë në zonat bregdetare dhe një reformë ligjore për të ndalur pretendimet për legalizime në trotuare apo hapësira publike.
“Është koha të vendosim kufirin dhe të mos lejojmë më asnjë ndërtim të paligjshëm, as në qytete, as në bregdet, as në trotuare”, përfundoi Rama.
Në vijim Rama njoftoi se qeveria po përgatitet të hyjë në një fazë të re reformash në sektorët e ujit, mbetjeve, karburanteve dhe barnave. Ai bëri me dije se do të krijohet një operator kombëtar për shpërndarjen e ujit, ndërsa po punohet edhe për një sitstem të ri kontrolli mbi furnizimin me naftë për të garantuar transparencë dhe çmime të rregulluara. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, po hartohet gjithashtu një plan për furnizimin me barna të sistemit publik dhe privat, me shtetin si aktor kryesor.
“Jemi duke punuar me ministrinë e Energjisë për një sistem dritë furnizimi të naftës, një domosdoshmëri dhe mundësi tanimë për të kaluar edhe te furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizimin e kontratave dhe furnizimin me naftë, gjë që kemi besim se do të sjellë një kontroll efikas mbi çmimin apo sistemin e qarkullimit të naftës. Tjetra, e njëjta po punojmë me ministrinë e Shëndetësisë për barnat mjekësore, për furnizimin e të gjithë sistemit, qoftë atij publik e privat, me barna dhe përsëri me shtetin si palë. Ka ardhur koha që të kalojmë në një rol të ri të shtetit, të qeverisë në ekonomi.”
Gjithashtu kryeministiri njoftoi nisjen e aksionit për konfiskimin e qumështit, bulmetit dhe mishit të freskët që tregtohen pa faturë, si pjesë e kontrollit të rreptë për sigurinë ushqimore. Ai e cilësoi këtë një nga pikat më të dobëta në negociatat me BE-në, ndërsa paralajmëroi se produktet pa dokumentacion do sekuestrohen menjëherë.


