Vendosni fjalën kyçe....

“S’më intereson ç’bën”…“Një përgjigje për Zeqinenë e SPAK-ut” – Meta e Kryemadhi luftë fjalësh në distancë


Kreu i burgosur i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi janë përplasur me deklarata në largësi.

Paraditen e sotme Kryemadhi tha se nuk i interesonte aspak çfarë bënte e mendonte Meta dhe se ishte e qetë në ndërgjegjen e saj. Sipas Kryemadhit, Meta informohet në burg vetëm për gjërat që i intereson grupit të njerëzve rreth tij.

“Meta informohet për gjërat që u intereson grupi i tij i afërt sepse ai është në izolim. Nuk më intereson më fare të jem e sinqertë, se cfarë mendon zoti Meta e cfarë thotë e bën zoti Meta. Jam shumë e qetë në ndërgjegjen time për gjërat që kam bërë, bëj dhe do të bëj. Nëse kam bërë diçka që për juve është gabim e për mua nuk është, hajde ta diskutojmë”, tha ajo.

E shpejtë ishte përgjigjia e Metës i cili me ironi e cilësoi ish-bashkëshorten si Zeqinenë e SPAK-ut. Ai shkruan se kishte vendosur të mos e përmendte Kryemadhin në respekt të fëmijëve po e bën i detyruar.

Në shënimin e tij Meta shkruan se ai dhe Tedi Blushi nuk përsërisin akuzat e SPAK-ut por madje i kanë çmontuar ato. Sipas tij, provat dhe faktet janë fshehur për të mbuluar personat e përfshirë në dosje.

Një përgjigje për Zeqinenë e SPAK-ut

“Në respekt dhe përkujdesje të tre fëmijëve të mi u kisha thënë pas zgjedhjeve, që nëna e tyre të mos e përmendte më emrin tim në publik se nuk doja të merresha më me të. Por kur të komandon halli bëhesh “Zeqine” e SPAK-ut. Ilir Meta dhe Tedi Blushi, jo vetëm që nuk përsërisin akuzat e Altin Dumanit, por vetëm kanë çmontuar publikisht shpifjet kriminale të orkestruara nga Altin Dumani se gjoja ishin gjetur dy prova të reja, pra dy karta banakre të reja, që sipas tyre ishin të përdorur edhe nga Ilir Meta, apo edhe ai ishte në dijeni.

Ilir Meta dhe Tedi Blushi iu janë përgjigjur këtyre shpifjeve monstruese që filluan me rrëmbimin tim monstruoz, me hetimin monstruoz dhe me izolimin tejet monstruoz, që nuk ka lidhje me asnjë fakt dhe provë penale për Ilir Metën.

Përkundrazi. faktet dhe provat janë fshehur deri tani për të mbuluar personat që kanë shkelur ligjet apo që kanë patur dijeni për shkeljet e ligjeve apo që janë vërtetuar si dëshmitarë të rremë, që dihet publikisht që ishin në listat e kandidatëve për deputet të “Rilindjes” dhe kanë punuar për “Rilindjen” me material shtrëngues. Sigurisht edhe unë nuk dua t’i besoj, që ato që ka shkruar Altin Dumani për kartat e saj bankare dhe të Adrian Shatkut janë të vërteta, por ata i shkruajnë për të justifikuar izolimin kriminal të Ilir Metës si lider i Partisë së Lirisë. Se po të ishin të vërteta, sigurisht që SPAK nuk do i jepte leje “Zeqinesë” të shkonte të SHBA në janar të këtij viti, ku jeton Adrian Shatku dhe janë kompanitë e lobimit që ia ka sjellë në Shqipëri, të cilat po i heton SPAK prej 3 vitesh.”