Vendosni fjalën kyçe....

Rama takim me drejtorët e Bashkisë Tiranë: Kujdes me zënien e trotuareve, Tirana s’duhet të bëhet si Vlora


Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot prej orës 18:30 një takim me të gjithë drejtorët e Bashkisë së Tiranës, ku të pranishëm ishin gjithashtu edhe deputetët socialistë të zgjedhur në 11 maj në njësitë e kryeqytetit.

Takimi, i mbajtur në një prej ambienteve të kryeqytetit, kishte për qëllim analizimin e situatës në terren dhe përcaktimin e prioriteteve për periudhën në vijim.

Sipas raportimit të gazetarit të Top Channel, Muhamet Veliu, Rama u shpreh se nuk kishte ankesa për punën e drejtorëve, por kërkoi një përfshirje më të madhe në terren për të adresuar problematikat konkrete të qytetit.

“Nuk kam ankesa për ju. Duhet të ndaheni në grupe pune në terren për të parë problematikat. Kujdes në problemet e zënies së trotuareve, Tirana s’mund të bëhet si Vlora,” u shpreh Rama.

Ai theksoi gjithashtu se Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe INUK duhet të jenë në nivelin e duhur të angazhimit dhe veprimit, duke i bërë thirrje për më shumë efikasitet.

Kryeministri vlerësoi punën e drejtoreshës së re të Policisë Bashkiake, Elona Lalaj, duke theksuar se që prej ardhjes së saj në detyrë janë reduktuar ndjeshëm ankesat nga qytetarët.

Në përmbyllje, Rama la porosi që zbatimi i detyrave të diskutohet në një tjetër takim të ngjashëm pas dy javësh, duke sinjalizuar një vijimësi të monitorimit të performancës së strukturave vendore në Tiranë.