Vendosni fjalën kyçe....

Përmbyset anija në Gjirin e Suezit, raportohet për 4 të vdekur dhe 4 të zhdukur


Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pas përmbysjes së një anijeje në Gjirin e Suezit, kanë njoftuar autoritetet egjiptiane të mërkurën. Ngjarja është konfirmuar edhe nga kompania saudite ADES Holding, pronare e anijes, e cila ka deklaruar se tre persona konsiderohen të zhdukur.

Sipas guvernatorit të provincës së Detit të Kuq në Egjipt, Amr Hanafy, në bord ndodheshin 30 punonjës në momentin e aksidentit. Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë arritur të nxjerrin trupat e katër viktimave dhe të shpëtojnë 22 persona të cilët janë dërguar menjëherë në spital, përcjell DW.

Operacionit të shpëtimit iu bashkuan edhe mjete të marinës egjiptiane. Ende nuk dihen me saktësi rrethanat e përmbysjes, por mediat lokale raportojnë se anija ishte duke u tërhequr për t’u përdorur në një projekt gërmimi kur u përmbys.

Sipas Ministrisë egjiptiane të Naftës, incidenti është raportuar nga kompania OSOCO dhe ka ndodhur pranë zonës Gabal El-Zeit, përgjatë Detit të Kuq.

Autoriteti i Kanalit të Suezit ka bërë të ditur se incidenti përfshiu anijen e shpimit “Admarine 12” dhe ndodhi rreth 130 milje detare nga hyrja jugore e kanalit. Lajmi i mirë është se trafiku detar në Kanalin e Suezit nuk është prekur nga kjo ngjarje.

ADES konfirmoi se katër persona kanë ndërruar jetë – tre prej stafit të kompanisë dhe një kontraktor – ndërsa për tre të tjerë vijojnë kërkimet. “Kompania po bashkëpunon ngushtë me autoritetet lokale dhe shërbimet emergjente. Siguria dhe mirëqenia e personelit mbetet prioriteti më i lartë. Një hetim i plotë do të zhvillohet për të zbardhur shkaqet e incidentit,” thuhet në njoftimin zyrtar të ADES.