
Karabinierët italianë, me urdhër të Prokurorisë Publike, kanë arrestuar Xhuljan Kurtin, 28 vjeç, shtetas shqiptar, i dyshuar si një nga tre autorët e një tentative grabitjeje që përfundoi me përdorim armësh dhe një viktimë.
Kurti është vendosur në burg dhe ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë “tentativë vjedhjeje”, “grabitje” dhe “posedim i paligjshëm i armës së zjarrit”. Ai është identifikuar si bashkëpunëtor i Rivaldo Rusit, një tjetër shqiptar që humbi jetën gjatë përplasjes me armë, pasi u qëllua nga pronari i banesës, Aurelio Valiante, 58 vjeç. Personi i tretë që dyshohet se ishte pjesë e grupit grabitës është ende në arrati.
Sipas hetimeve paraprake, tre shqiptarët kishin hyrë në një shtëpi private gjatë natës, ku më pas ishin përballur me pronarin që reagoi me armë zjarri. Sipas dëshmisë së Valiantes, një nga grabitësit kishte qëlluar i pari, duke e detyruar atë të hapte zjarr në vetëmbrojtje. Si pasojë, Kurti mbeti i plagosur ndërsa Rusi u vra. Trupi i Rusit u transportua dhe u varros fshehurazi nga Valiante në një zonë tjetër, veprim për të cilin ai është tashmë nën hetim për “vrasje” dhe “fshehje të një kufome”.
Valiante dhe familja e tij janë zhvendosur në një vend të mbrojtur për arsye sigurie. Ndërkohë, një autopsi është kryer mbi trupin e Rivaldo Rusit, dhe pritet që rezultatet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes dhe dinamikës së ngjarjes.
Hetimet vijojnë për të lokalizuar personin e tretë të përfshirë në ngjarje dhe për të rindërtuar të gjithë historinë në detaje.