
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ngriti shqetësimin e bashkëpunimit mes Rusisë, Kinës, Iranit e Koresë së Veriut, jo vetëm në luftën në Ukrainë po edhe për sigurinë e stabilitetin e Evropës.
Gjatë fjalës së tij në asamblenë parlamentare të OSBE-së, Mediu tha se Kina jo vetëm që nuk e ka kritikuar luftën e Rusisë në Ukrainë, përkundrazi e ka ndihmuar Moskën duke minuar sanksionet ndërkombëtare ndaj saj.
““Si mbështetje për këtë amendament, para së gjithash dua të falënderoj Senatorin Cornyn për këtë amendament, i cili e bën shumë më të plotë propozimin. Sepse pa përfshirë atë që zoti Corning shtoi, siç e dini, do të ishte tërësisht i paplotë. Ky amendament shton një referencë për bashkëpunimin e Rusisë me Republikën Popullore të Kinës dhe Republikën Islamike të Iranit në luftën e saj kundër Ukrainës, gjë që meriton të përmendet krahas bashkëpunimit të saj me Korenë e Veriut. Kina është partneri më i fuqishëm i Rusisë, ashtu si edhe Republika Islamike e Iranit, të cilat po minojnë jo vetëm sigurinë dhe luftën për lirinë e Ukrainës, por gjithashtu po minojnë sigurinë e Evropës. Kina jo vetëm që ka mbyllur sytë ndaj mizorive të luftës së Putinit kundër Ukrainës, por ka mbështetur ekonominë dhe zinxhirët e furnizimit të Rusisë, duke minuar sanksionet dhe duke siguruar që Rusia të vazhdojë të ketë akses në para dhe materiale të domosdoshme për pushtimin e saj. Ndërkohë, Irani e ka furnizuar Rusinë me qindra dronë vdekjeprurës që Kremlini i ka përdorur për të sulmuar civilët në Ukrainë, duke vrarë dhe gjymtuar njerëz të pafajshëm dhe duke shkatërruar infrastrukturë kritike.” – tha Mediu, teksa prezantoi në asamble amendamentin e Senatorit amerikan John Cornyn.
Ai shtoi më tej se sulmet e SHBA-së ndaj objektivave bërthamore të Iranit ka ndihmuar jo thjesht stabilitetin në Lindjen e Mesme po edhe atë të Evropës.
“Dua vetëm të shtoj se sulmi i SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit ka ndihmuar jo vetëm në stabilitetin në Lindjen e Mesme, por edhe në Evropë, si dhe ka forcuar faktorin ndëshkues ndaj Rusisë në raport me Ukrainën. E përgëzoj reporterin për përfshirjen e referencës për mbështetjen e Rusisë nga Bjellorusia dhe Koreja e Veriut, dhe i bëj thirrje kolegëve të mi ta mbështesin këtë amendament për të pasqyruar më mirë pamjen e gjerë të ndihmës së huaj që Putini ka marrë për agresionin e tij.
Jetojmë në një kohë kur duhet ta kuptojmë dhe të kemi një panoramë të plotë se çfarë përbën kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën.” – shtoi Mediu.