
Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë arritur një marrëveshje për të zgjidhur çështjet që kishin bllokuar dërgesat e mineraleve të rralla dhe magnetëve drejt SHBA-së, bëri të ditur të premten Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.
Gjatë bisedimeve tregtare SHBA-Kinë të mbajtura në maj në Gjenevë, Pekini ishte zotuar se do të hiqte masat ndëshkuese të vendosura pas 2 prillit si kundërpërgjigje ndaj tarifave të reja amerikane.
Megjithatë, eksportet nuk po përparonin sipas marrëveshjes, çka detyroi SHBA-në të vendoste kundërmasa, sipas Reuters.
“Tani jam i bindur se, sipas marrëveshjes, eksportet e magnetëve do të rifillojnë,” tha Bessent për Fox Business.
Përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes përfshinë edhe një telefonatë mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit kinez Xi Jinping, e cila çoi në takime të reja në Londër mes ekipeve negociatore, ndërsa përpiqen të zbusin luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se palët kishin rënë dakord mbi një kuadër për zbatimin e marrëveshjes së Gjenevës, që përfshin përshpejtimin e dërgesave drejt SHBA-së.
Ministria kineze e Tregtisë njoftoi se të dy vendet kanë konfirmuar detajet për zbatimin e marrëveshjes, duke shtuar se Kina do të miratojë aplikimet për eksport të produkteve të kontrolluara në përputhje me ligjin. Ajo nuk përmendi drejtpërdrejt mineralet e rralla.
Sipas burimeve nga industria, procesi i licencimit është ngadalësuar për shkak të kufizimeve që Kina zbaton për përdorim të dyfishtë, për të siguruar që materialet të mos përfundojnë në përdorim ushtarak në SHBA.
Më parë, Kina kishte pezulluar eksportet e një game të gjerë mineralesh të rralla si kundërpërgjigje ndaj tarifave të vendosura nga administrata Trump, duke krijuar ndërprerje në zinxhirët globalë të furnizimit që ndikojnë në industrinë automobilistike, hapësinore, teknologjinë e çipave dhe kontraktorët ushtarakë.
Në fillim të qershorit, Reuters raportoi se Kina kishte lëshuar leje të përkohshme eksporti për furnizuesit e mineraleve të rralla për tre prodhuesit kryesorë amerikanë të makinave.
Më vonë gjatë muajit, Trump deklaroi se Kina kishte rënë dakord të furnizonte me magnetë dhe minerale të rralla në këmbim të pranimit të studentëve kinezë në universitetet amerikane.
Megjithëse marrëveshja e fundit përfaqëson një përparim pas muajsh tensione tregtare që nga ardhja e Trump në pushtet në janar, ajo gjithashtu nënvizon sfidat e shumta që mbeten drejt një marrëveshjeje tregtare përfundimtare mes dy vendeve.