
Irani dhe Izraeli kryen një valë të re sulmesh në orët e para të së shtunës, vetëm një ditë pasi Teherani deklaroi se nuk do të zhvillojë bisedime për programin e tij bërthamor përderisa është nën kërcënim ushtarak, ndërsa përpjekjet evropiane për ruajtjen e paqes vazhdojnë.
Agjencia iraniane Fars raportoi se Izraeli kishte sulmuar objektin bërthamor në Isfahan, një nga më të mëdhenjtë në vend, por nuk pati rrjedhje të materialeve të rrezikshme.
Mediat iraniane gjithashtu thanë se një ndërtesë në qytetin Qom ishte goditur nga një tjetër sulm izraelit, ku u raportua se u vra një 16-vjeçar dhe u plagosën dy persona të tjerë, përcjell Reuters.
Ushtria izraelite konfirmoi se kishte ndërmarrë një sërë sulmesh ndaj objekteve të magazinimit dhe infrastrukturës së raketave në Iran.
Rreth orës 2:30 të mëngjesit sipas kohës lokale (23:30 GMT të premten), ushtria izraelite paralajmëroi për një sulm të mundshëm me raketa nga Irani, duke shkaktuar aktivizimin e sirenave në Tel Aviv, në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në jug të Izraelit.
Në qiellin e Tel Avivit u panë ndërprerje të raketave nga sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore, ndërsa shpërthime u dëgjuan në të gjithë zonën metropolitane. Magen David Adom, shërbimi kombëtar i emergjencës në Izrael, publikoi imazhe të një zjarri mbi një ndërtesë banimi në Tel Aviv, që sipas raporteve lokale u shkaktua nga mbeturinat e një rakete të kapur në ajër.
Përplasja për programin bërthamor
Izraeli filloi sulmet ndaj Iranit më 13 qershor, duke akuzuar Teheranin se është pranë zhvillimit të armëve bërthamore.
Irani ka mohuar këto pretendime dhe ka deklaruar se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore. Në kundërpërgjigje, Irani ka lëshuar raketa dhe dronë ndaj Izraelit.
Sipas Human Rights Activists News Agency, një organizatë me bazë në SHBA që monitoron situatën në Iran, deri tani sulmet izraelite kanë shkaktuar 639 viktima, përfshirë figura të larta ushtarake dhe shkencëtarë bërthamorë.
Nga ana tjetër, autoritetet izraelite thonë se 24 civilë janë vrarë nga sulmet iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se Irani mund të ketë një armë bërthamore “brenda pak javësh, ose në maksimum disa muaj”. Ai shtoi se nuk do të lejojë që kjo të ndodhë dhe kundërshtoi deklaratën e drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila kishte sugjeruar se nuk kishte prova për ndërtimin e një arme nga Irani.
Retorikë dhe diplomaci në kolaps
Në sulmet e fundit, Izraeli tha se kishte shënjestruar dhjetëra objektiva ushtarake, përfshirë vende prodhimi raketash, një institut kërkimor në Teheran që sipas tij ishte i përfshirë në zhvillimin e armëve bërthamore, dhe objekte ushtarake në perëndim dhe qendër të Iranit.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi deklaroi se “nuk ka vend për negociata me SHBA-në përderisa agresioni izraelit vazhdon”.
Megjithatë, ai mbërriti të premten në Gjenevë për bisedime me ministrat e jashtëm evropianë, të cilët po përpiqen të shpëtojnë mundësinë e diplomacisë.
Presidenti Trump theksoi se do t’i duhen rreth dy javë për të vendosur nëse SHBA duhet të përfshihet ushtarakisht në mbështetje të Izraelit.
“Nëse dikush është duke fituar, është më e vështirë të kërkosh ndalim sesa nëse po humbet,” tha ai.
Trump gjithashtu shprehu skepticizëm për përpjekjet e Evropës, duke deklaruar: “Irani nuk dëshiron të flasë me Evropën. Ata duan të flasin me ne. Evropa nuk do të mund të ndihmojë në këtë rast.”
Tension në rritje dhe kërkesa për ndërhyrje ndërkombëtare
Qindra qytetarë amerikanë janë larguar nga Irani që nga fillimi i luftës ajrore, sipas një telegrami të Departamentit të Shtetit që është parë nga Reuters.
Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, deklaroi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Izraeli nuk do të ndalojë sulmet “derisa kërcënimi bërthamor i Iranit të jetë zhdukur”.
Ndërsa përfaqësuesi i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, bëri thirrje për veprim nga Këshilli i Sigurimit dhe u shpreh i shqetësuar për raportimet se SHBA mund të përfshihet në luftë.
Ndërkohë, Rusia dhe Kina kërkuan menjëherë de-përshkallëzim të situatës.
Një zyrtar i lartë iranian tha për Reuters se Irani është i gatshëm të diskutojë kufizime në pasurimin e uraniumit, por do të refuzojë çdo propozim që ndalon plotësisht pasurimin, “veçanërisht tani që po sulmohet nga Izraeli”.
.