
Kraft Heinz Co. tha se do heqë ngjyrat sintetike ushqimore nga të gjitha produktet e saj në SHBA deri në fund të vitit 2027, duke eliminuar përbërës të tillë si Red 40 dhe Yellow 5 nga Jell-O, Kool-Aid dhe disa produkte Lunchables.
Kraft Heinz është tani kompania më e madhe e ushqimeve të paketuara në SHBA që është zotuar plotësisht për eliminimin e ngjyrave artificiale të rregulluara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Pronari i markave Heinz dhe Oscar Mayer gjithashtu nuk po prezanton asnjë produkt të ri në SHBA me ngjyra.
Ndryshimi shënon një fitore për Sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Robert F. Kennedy Jr. HHS dhe FDA thanë në prill se do punojnë me prodhuesit e ushqimit për të eliminuar ngjyrat sintetike ushqimore deri në fund të vitit 2026. Megjithatë, grupet e industrisë kanë thënë më parë se nuk ekziston asnjë marrëveshje për këtë çështje, shkruan Bloomberg.
“Ne po i zhvillojmë vijimësisht recetat, produktet dhe portofolin tonë për t’u ofruar superioritet konsumatorëve dhe klientëve”, tha Pedro Navio, president i Kraft Heinz për Amerikën e Veriut, në një deklaratë.
“Shumica dërrmuese e produkteve tona përdorin ngjyra natyrale ose asnjë ngjyrues dhe ne kemi qenë të përkushtuar për të zvogëluar përdorimin e ngjyrave FD&C në pjesën tjetër të portofolit tonë.”
Termi ngjyra FD&C i referohet shtatë ngjyrave sintetike të zakonshme të miratuara për përdorim në ushqim nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave që përbëjnë pothuajse të gjitha ngjyrat artificiale të konsumuara nga amerikanët. FDA njoftoi në janar se do të ndalonte Red No. 3, dhe më pas në prill tha se do të kërkonte të hiqte gjashtë të tjerat.
Pothuajse 90% e produkteve të Kraft Heinz të shitura në SHBA nuk përmbajnë ngjyra sintetike, sipas kompanisë. Ajo hoqi ngjyrat nga Kraft Macaroni & Cheese në vitin 2016.