Vendosni fjalën kyçe....

Organizatorët bllokojnë pavijonin izraelit në Panairin Ajror të Parisit


Organizatorët në Panairin Ajror të Parisit në Aeroportin Le Bourget bllokuan të hënën hyrjen në pavijonin izraelit, ku nëntë kompani izraelite, përfshirë prodhues të mëdhenj të armëve, ishin planifikuar të shfaqnin produktet e tyre më të fundit. Nuk ishte e qartë se kush e dha urdhrin dhe organizatorët e shfaqjes nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Rruga për në pavijon ishte e bllokuar dhe vetë pavijoni ishte i mbuluar me pëlhurë të zezë.

Ky veprim erdhi si surprizë, pavarësisht tensioneve në rritje midis Izraelit dhe Francës për shkak të luftës në Gaza dhe qëllimit të deklaruar të qeverisë franceze për të njohur një shtet palestinez. Nuk ishin marrë masa paraprake kundër kompanive izraelite që ishin planifikuar të merrnin pjesë në panair.

Vitin e kaluar, kompanitë izraelite nuk u lejuan të merrnin pjesë për shkak të një vendimi të qeverisë franceze dhe presidentit Emmanuel Macron. Megjithatë, një gjykatë lokale e rrëzoi vendimin, duke lejuar “Rafael Advanced Defense Systems”, “Elibit” dhe “Israel Aerospace Industries” (IAI) të dërgonin përfaqësues në këtë ngjarje, shkruan Ynet.

“Organizatorët e Panairit Ajror të Parisit, duke vepruar sipas udhëzimeve të qeverisë franceze, urdhëruan heqjen e sistemeve të armëve sulmuese nga pavijoni i Izraelit mbrëmë, në kundërshtim me praktikat standarde në ekspozitat e sigurisë në mbarë botën”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë, Amir Baram, i informoi organizatorët se Izraeli e hedh poshtë kërkesën.

“Veprimi i njëanshëm u krye në mes të natës, pasi përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të industrisë kishin përfunduar përgatitjet për shfaqjen izraelite”, shtoi deklarata.

Ministria e përshkroi këtë veprim si një nismë të paprecedentë dhe shqetësuese nga organizatorët, të nxitur nga motive politike dhe tregtare. Kjo ndodhi, tha ministria, “në një kohë kur Izraeli po zhvillon një luftë të drejtë për të eliminuar një kërcënim bërthamor dhe balistik që qëndron varur mbi Lindjen e Mesme, Evropën dhe të gjithë botën”.

Zyrtarët e ministrisë akuzuan francezët se përdorin pretekste politike për të lënë mënjanë Izraelin si një konkurrent të industrisë lokale të armëve, veçanërisht në dritën e paraqitjes së sistemeve mbrojtëse izraelite gjatë operacioneve të fundit kundër Iranit. Ministria i kërkoi qeverisë franceze dhe organizatorëve të eventit të përmbysin vendimin dhe të heqin barrierën që ndan pavijonin izraelit nga pjesa tjetër e ekspozitës.