
Delegacioni i Partisë Demokratike të Shqipërisë, i kryesuar nga Sali Berisha, zhvilloi një takim të nivelit të lartë në Bruksel me eurodeputetin Michael Gahler, drejtues i Misionit të Vëzhgimit të Parlamentit Europian për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe koordinator i grupit PPE në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
Gjatë takimit, Berisha shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të Gahler ndaj Shqipërisë, si dhe për drejtimin profesional të misionit vëzhgues të PE në zgjedhjet që PD i konsideron të manipuluara. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së eurodeputetëve për vlerat e demokracisë, sundimin e ligjit dhe zgjedhjet e lira si parakushte për integrimin europian të vendit.
Berisha dhe Gahler ndanë shqetësimin për situatën e rënduar politike dhe zgjedhore në vend, duke nënvizuar problemet kryesore të konstatuara gjatë procesit elektoral:
Persekutimi politik dhe ndjekjet penale të liderëve të opozitës gjatë vitit zgjedhor;
Përdorimi masiv i burimeve shtetërore për qëllime elektorale, përfshirë praktika si legalizime, punësime dhe shpërndarje bonusesh kundrejt votës;
Aktivizimi i sistemit të patronazhimit për të kontrolluar votuesit dhe për të ushtruar presion mbi administratën publike.
Një temë tjetër kyçe ishte përfshirja e grupeve kriminale në procesin zgjedhor. Sipas opozitës, 28 kandidatë të Partisë Socialiste kanë pasur mbështetjen e strukturave të krimit të organizuar në disa qarqe, me koordinim të pretenduar nga zyrtarë të lartë të qeverisë. U ngritën gjithashtu shqetësime mbi përdorimin e sektorit të ndërtimit për pastrim parash dhe lidhjet e përfolura midis krimit dhe zyrtarëve të lartë.
Manipulimi i votës së diasporës u cilësua një tjetër çështje shqetësuese, ku sipas PD-së, të drejtat kushtetuese të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit janë cenuar përmes mungesës së transparencës dhe ndikimit të rrjetit të patronazhistëve në procesin e votimit dhe numërimit.
Berisha deklaroi se rezultati i zgjedhjeve nuk pasqyron vullnetin real të qytetarëve dhe se opozita do të vazhdojë përpjekjet për zbardhjen e plotë të parregullsive, përmes dokumentimit dhe dorëzimit të provave në institucionet europiane dhe ndërkombëtare. Ai kërkoi mbështetjen e europarlamentarëve për garantimin e votës së lirë si bazë e demokracisë dhe e rrugës europiane të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Michael Gahler konfirmoi se do të vijojë të ndjekë zhvillimet në Shqipëri me vëmendje dhe objektivitet, në kuadër të misionit të tij, dhe se do të mbështesë çdo iniciativë që synon përmbushjen e standardeve demokratike dhe kritereve të anëtarësimit në BE.
Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi, kryetarja e LDG-së Albana Vokshi dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku.