
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 1 qershorin 1998, ditë kur forcat serbe kryen një ofensivë të ashpër ushtarake në rajonin e Dukagjinit, duke sulmuar fshatra në komunën e Deçanit dhe kryer krime të rënda ndaj civilëve shqiptarë.
“Në kuadër të një fushate të gjerë ushtarake, u rrethuan dhe bombarduan fshatra si Pobërgjë, Hulaj, Batushë dhe të tjerë, duke përdorur armë të rënda kundër popullsisë civile,” deklaroi Kurti, duke u mbështetur në të dhënat e Human Rights Watch dhe OSBE-së.
Ai përmendi zhvendosjet e dhunshme, ekzekutimet dhe zhdukjet e civilëve, si dhe shkatërrimin e pronës, duke theksuar se kjo ditë rikujton jo vetëm dhimbjen, por edhe vendosmërinë për liri e dinjitet.
Në përvjetorin e 27-të të kësaj ngjarjeje tragjike, Kurti nderoi kujtimin e 19 civilëve të vrarë dhe të gjithë dëshmorëve të luftës:
“Sakrifica e tyre është themel i lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. I paharruar qoftë kujtimi i tyre. Lavdi e përjetshme.”