Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni “Kerveros” në Greqi: Shkatërrohet rrjeti i trafikut të qenieve njerëzore, 23 të arrestuar dhe mijëra pasaporta të falsifikuara



Policia greke ka goditur një rrjet të madh kriminal gjatë operacionit të koduar “Kerveros”, ku u arrestuan 23 persona të dyshuar për përfshirje në trafikimin e qenieve njerëzore dhe falsifikimin e dokumenteve.

Sipas autoriteteve, hetimi ka çuar në identifikimin dhe mbylljen e të paktën katër laboratorëve të specializuar për prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit të falsifikuara, kryesisht shqiptare dhe greke. Gjatë kontrollit të ushtruar në disa apartamente, u sekuestruan 3.700 dokumente false, pulla zyrtare, zarfe me para dhe rreth 50 mijë euro cash.

Në pranga ka rënë edhe udhëheqësi i rrjetit, i cili kishte ngritur një laborator të sofistikuar brenda një apartamenti në zonën e Peristerit, Athinë. Dyshohet se ky grup ka qenë përgjegjës për më shumë se 500 raste trafiku të paligjshëm klandestinësh, duke përfituar mbi 4 milionë euro.

Operacioni vijon dhe autoritetet greke kanë paralajmëruar zbardhjen e detajeve të tjera në orët në vijim.