
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër ndaj procesit zgjedhor të 11 majit, duke e cilësuar si një “masakër elektorale” të organizuar nga ajo që ai e quan “Narkoregjimi”. Në një postim në rrjetet sociale, Meta akuzon për përdorim të bandave, blerje votash, presion për bukën e gojës dhe keqpërdorim të administratës dhe fondeve publike.
Meta thekson se beteja për votën e lirë është e pakthyeshme dhe një mision kombëtar për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë.
Ai shton se opozita nuk do të ndalet së denoncuari çdo shkelje dhe do të luftojë për t’i kthyer pushtetin qytetarëve.
Postimi:
Banditizmi elektoral, “treni bullgar”, shit-blerja e votave, presionet për bukën e gojës, përdorimi i bandave dhe kriminelëve elektorale, parave të pista të trafiqeve dhe drogës, keqpërdorimi i administratës publike dhe aseteve shtetërore dhe të gjitha provat e masakrës elektorale, që po dalin në dritë të diellit, të organizuar nga Narkoregjimi tregojnë qartë një tjetërsim mafioz, total dhe të dhunshëm të vullnetit të lirë të qytetarëve.
Ky regjim i bazuar mbi krimin, që bazon çdo gjë në tjetërsimin, manipulimin dhe në inflitrimin e njerëzve të korruptuar brenda opozitës, përmes mekanizmave shtrëngues të “Drejtësisë së Re”, shkatërroi standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Beteja për votën e lirë është e pakthyeshme për të mbrojtur Shqipërinë nga gremina dhe shqiptarët nga kthetrat e Narkoshtetit kriminal.
Ne nuk do të ndalemi përballë asnjë shantazhi, presioni apo manipulimi. Do të evidentojmë dhe denoncojmë çdo shkelje, çdo abuzim, çdo tentativë për të kthyer zgjedhjet në një farsë, formalitet dhe në falsitet total.
Mbrojtja e votës së lirë është një mision kombëtar për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë, të shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit për të gjithë.
Sot beteja është mes narkokriminelëve që kanë zaptuar pushtetin dhe të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur me vullnetin e tyre njerëzit, që respektojnë Kushtetutën dhe ligjin.
Themeli i fitores është vota e lirë ndaj të bëjmë çdo sakrificë për t’ja shkulur pushtetin Narkoqeverisë dhe për t’ja kthyer pushtetin qytetarëve.