
Hetimet për një incident të ndodhur mbrëmjen e 9 majit në Maqellarë, ku përfaqësues të Partisë Demokratike ndaluan dy automjete me dyshimet për përfshirje në blerje votash nga eksponentë të Partisë Socialiste, kanë marrë rrugën drejt Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër njoftoi zyrtarisht se materialet procedurale për këtë ngjarje janë referuar pranë SPAK për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga Kodi Penal.
Të dyshuarit kryesorë janë shtetasit H.M., 54 vjeç, dhe biznesmeni Fiqiri Pali, 57 vjeç. Ky i fundit është identifikuar si pronar i një automjeti luksoz tip Mercedes Maybach, ku gjatë një kontrolli të ushtruar nga prokuroria dhe oficerë të policisë gjyqësore, u gjetën 4500 dollarë, 1000 paund britanikë dhe tollona karburanti.
Në një automjet tjetër, ku ndodheshin edhe anëtarë të shtabit elektoral të kandidatit të PS-së, Blendi Klosi, nuk janë gjetur sende të paligjshme, sipas autoriteteve. Megjithatë, prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e celularëve të disa prej të pranishmëve, me qëllim hetimin e një skeme të mundshme të blerjes së votave.
Njoftimi i policisë:
“Në vijim të hetimeve të kryera lidhur me ngjarjen e datës 09.05.2025, në Maqellarë, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’, në ngarkim të shtetasve H.M., 54 vjeç; dhe F.P., 57 vjeç.”
Hetimet vijojnë për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me një rast të organizuar të ndikimit të paligjshëm në procesin zgjedhor të 11 majit.