Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina zbulon rrjet spiunazhi hungarez që mblidhte të dhëna ushtarake në perëndim të vendit


Ukraina ka njoftuar se ka zbuluar një rrjet spiunazhi hungarez që operonte në territorin e saj, duke pretenduar se Budapest po mblidhte informacione të ndjeshme ushtarake me synimin e mundshëm për një ndërhyrje të ardhshme në perëndim të vendit.

Autoritetet ukrainase kanë arrestuar dy shtetas të vet, veteranë të ushtrisë, ndërsa Hungaria i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si “propagandë” dhe ka dëbuar dy diplomatë ukrainas.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) bëri të ditur se rrjeti ishte i drejtuar nga një oficer i inteligjencës ushtarake hungareze dhe kishte për qëllim zbulimin e pikave të dobëta në mbrojtjen ushtarake të rajoneve perëndimore, përcjell The Guardian.

Sipas SBU-së, njëri nga të arrestuarit, një 40-vjeçar nga qyteti Berehove – zonë me shumicë etnike hungareze – ishte rekrutuar si agjent i fjetur që në vitin 2021 dhe ishte “aktivizuar” në vitin 2024.

Ai dyshohet se kishte marrë para në një takim në Hungari për të ofruar informacion dhe për të ndihmuar në rekrutimin e informatorëve të tjerë. Përmes një rrjeti agjentësh, synimi ishte zgjerimi i fushës së mbledhjes së informacionit, përfshirë edhe të dhëna nga rajonet pranë vijës së frontit.

Dy të dyshuarit përballen me akuza për tradhti të lartë, që në Ukrainë mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, në një konferencë për shtyp në Budapest deklaroi se Hungarisë nuk i është paraqitur asnjë provë: “Nëse marrim ndonjë informacion zyrtar, do të mund të veprojmë. Deri atëherë, këtë e konsideroj si propagandë që duhet trajtuar me kujdes.”

Më vonë, në një video në Facebook, ai njoftoi dëbimin e dy personave që i cilësoi si “spiunë nën mbulesë diplomatike” në ambasadën e Ukrainës në Budapest.

Akuzat pritet të tensionojnë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, të cilat janë prej kohësh të acaruar. Hungaria, anëtare e NATO-s dhe BE-së, ka mbajtur qëndrime të zbutura ndaj Rusisë dhe ka kritikuar ashpër Kievin.

Kryeministri Viktor Orbán ka penguar procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE dhe ka qenë kundër sanksioneve ndaj Moskës.

Në verën e kaluar, ai vizitoi Putinin në Moskë pak pasi Hungaria mori presidencën e radhës të BE-së, duke zemëruar liderët e tjerë evropianë.

Në rajonin perëndimor të Zakarpattias jetojnë rreth 80 mijë hungarezë etnikë. Marrëdhëniet e tyre me qeverinë ukrainase kanë qenë të tensionuara për shkak të ligjeve për gjuhën dhe arsimin.

Orbán ka akuzuar Kievin për mosrespektim të të drejtave gjuhësore të kësaj pakice, ndërsa autoritetet ukrainase e kanë kritikuar Budapestin për përdorimin e kësaj çështjeje për të përhapur narrativa pro-ruse.

Në disa fshatra me shumicë hungareze, njerëzit ndjekin orën e Budapestit dhe shikojnë televizionin shtetëror hungarez M1, i cili shpesh kritikon qeverinë ukrainase dhe përsërit qëndrimet e Kremlinit.

Ndërkohë, László Zubánics, historian dhe kryetar i Federatës Demokratike Hungareze në Ukrainë, ka deklaruar se është një stereotip i gabuar që hungarezët etnikë nuk janë patriotë ukrainas. Sipas tij, rreth 400 prej tyre kanë luftuar në vijën e parë të frontit dhe rreth 30 janë vrarë në aksion, por ka pranuar se shumë nga kjo komunitet ndihen të ndarë mes Budapestit dhe Kievit.